Skadoi afati i kartelave pagesore, mijëra qytetarë nuk i shfrytëzuan

Në Ministrinë e Financave akoma nuk i kanë gati statistikat për kartelat pagesore shtetërore, afati i shfrytëzimit të të cilave skadoi një ditë më parë. Ministria e Financave paralajmëron analizë të detajuar për atë se sa prej qytetarëve i kanë përdorur paratë e shtetit si ndihmë për shkak të situatës me Pandeminë. Deri të martën ose të mërkurën nga bankat do t’i marrin statistikat përfundimtare.

Ministria e Financave:
“Ne Presim që bankat t’i paraqesin statistikat përfundimtare për kartelat pagesore gjatë javës tjetër, ashtu siç raportuan gjatë gjithë procesit, përkatësisht në baza javore. Pasi t’i paraqesin të dhënat, ne do ta informojmë opinionin, si në periudhën e kaluar.”

Një ditë më parë ishte dita e fundit që qytetarët mundën t’i shpenzojnë paratë që i kishin në kartelën pagesore. Paratë që kanë mbetur në kartela do të kthehen përsëri në arkën e shtetit. Sipas informacioneve të fundit nga bankat, duke përfshirë edhe javën e kaluar, mund të shihet se jo të gjitha kartelat e shtypura kanë arritur te qytetarët. Pra, nga gjithsej 333.674 kartela të shtypura, përfshirë datën 7 të këtij muaji, 23.576 qytetarë nuk kanë tërhequr kartelat e tyre pagesore.

Sipas Ministrisë së Financave, mos tërheqja e kartelave nga qytetarët është për arsye të ndryshme. Disa janë jashtë vendit, ndërsa disa të tjerë thjesht kanë vendosur të mos i tërheqin. Kartela pagesore ishte pjesë e grupit të tretë të masave ekonomike për të luftuar pandeminë, por hasi në reagime nga opinionin dhe ekspertët ekonomik, si masë e parashikuar në kohën kur po zhvilloheshin zgjedhjet në vend./ALSAT