“S’ka qëllime të mira, po sulmohet Islami”, BIK-u në Deçan reagon ndaj formimit të “Lëvizjes për braktisjen e fesë islame”

Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan ka shprehur indinjatën në lidhje me formimin e “Lëvizjes për braktisjen e fesë islame”.

Sipas tyre, kjo lëvizje nuk ka qëllime të mira dhe se “aty vërehen elemente përçarëse dhe nxitje të urrejtjes ndërfetare”.

“Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan, shpreh indinjatën e thellë lidhur me formimim e të të ashtuquajtures “Lëvizje për braktisjen e fesë islame”, meqë siq u pa e ndegju ajo ska qellime tmira per shoqerin tonë, aty vërehen elemente përçarëse dhe nxitje të urrejtjes ndër-fetare, si dhe mos durim fetar dhe njerëzor.”

Në reagim thuhet se populli në Kosovë ka ditur të ruajë dhe kultivojë paqen dhe tolerancën ndërfetare, ndërsa shtojnë se secili individ është i lirë ta zgjedhë besimin e vet por jo të bëjë përçarje.

“Ju kujtojmë se populli ynë me besimin islam, dhe besimet e tjera, ka ditur të ruajë dhe kultivojë paqen dhe tolerancen ndër-fetare, fakt i çmuar shumë përgjatë historisë sonë. Mbështetur në këtë fakt, lëvizjet e tilla kanë tendenca qëllimkëqija dhe atakojnë atmosferën e shkëlqyeshme të ndërtuar me shekuj tek ne, sepse me këtë, veçanërisht sulmohet Islami. Secili është i lirë ta zgjedhë besimin e vet dhe ta praktikojë atë, por nuk ka të drejtë të bëjë përçarje dhe sulmojë të tjerët në asnjë mënyrë.”

KBI në Deçan u ka bërë thirrje qytetarëve “që mos të bien pre e manipulimeve të tilla, e as përçarjeve të tilla”.