Një nxënëse e shkollës fillore të mesme të ulët “Hysni Zajmi” në Vrellë të Istogut dyshohet të jetë ngacmuar seksualisht nga një punëtor teknik i kësaj shkolle. Por, pas arrestimit të dyshuarit ai është liruar.Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi sipas tij nuk janë gjetur elemente të veprës penale.
“I kanë kry policia hetuesit procedurat, intervistimet, është njoftuar prokurori dhe ai e ka vlerësuar se nuk ka elemente për vepër penale. S’ka rast, s’ka ngacmim s’ka kurgjo dhe sigurisht lirohet“, tha ai.
Gashi po ashtu gjatë ditës kishte konfirmuar arrestimin e punëtorit teknik të shkollës në Istog.
“Sot rreth orës 13:00 nga drejtoria e shkollës fillore të mesme të ulët “Hysni Zajmi” në Vrellë komuna Istogut, policia është njoftuar për një rast. Për momentin dyshohet të jetë shqetësuar seksualisht një nxënëse e asaj e shkolle nga një punëtor i stafit teknik i asaj shkolle. Policia ka dalë menjëherë në vend të ngjarjes dhe ka arrestuar të dyshuarin”, kishte pohuar zëdhënësi i policisë.