S’ka ilaç për Covid-19, pacientët shërohen, Stevanoviq: Kërkoni ndihmë tek mjeku, nuk është turp të jesh i sëmurë

Temperaturat e larta në rang botëror nuk po e ulin numrin e të infektuarve me virusin korona. Në vjeshtë COVID-19 mund të rikthehet edhe më ashpër, thotë Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, megjithatë raportet e javëve të fundit në Maqedoni janë pozitive

“Në 2 javët fundit nga raporti i fundit 20 deri 28 qershor, krahasuar me javën paraprake, janë regjistruar 303 më pak raste të reja, 8 raste vdekjesh më pak dhe 216 më shumë raste të pacientëve të shëruar. Javën e fundit ka rreth 860 raste të reja, që dukshëm është më pak se mesatarja e 1000 rasteve të reja në 3 javët paraprake”, deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Ilaç kundër koronavirusit ende nuk ka, por vetëm javën e fundit janë shëruar 447 pacientë. Numri më i madh i tyre madje kanë qenë në kurim shtëpiak. Nga 7124 të infektuar që nga fillimi i epidemisë, 3199 persona janë shëruar.

Folëm me drejtoreshën e Klinikës Infektive, Milena Stevanoviq, për ta kuptuar se cilat terapi po përdoren për të shëruar pacientët. Ajo për TV21 tregon se mjekimi bëhet varësisht pasqyrës klinike. Terapitë jepen edhe në bazë të rekomandimeve të OBSH-së por edhe të përvojës së qendrave të mëdha botërore ku trajtohen të prekurit.

“E japim ilaçin antivirusal lopinavir ritonavir, që po ashtu është në kuadër të studimeve, e kemi pasur në dispozicion edhe para studimeve të bëra. Bëjmë trajtim për zvogëlim të komplikimeve citokine, që ka efekt të mirë por nuk është ilaç që jepet menjëherë pas infektimit, përkundrazi duhet që pacienti të ndiqet nga afër dhe intensivisht. Gjithashtu para pak kohësh ka filluar të flitet për përdorimin e kortikosteroideve në terapi”, tha Milena Stevanoviq, drejtoreshë e Klinikës Infektive.

Stevanoviq pohon se COVID-19 nuk mund të shihet bardhë e zi sepse është virus i paparashikueshëm, por shërimin e pacientëve e sjell mbikëqyrja e vazhdueshme gjatë kurimit. Numër i madh i pacientëve që shërohen kalojnë me simptoma të lehta, tregon ajo. Që nga fillimi i epidemisë 346 kanë ndërruar jetë. Stevanoviq apelon që askush të mos turpërohet nga sëmundja, por të kërkohet ndihmë mjekësore, sepse fatkeqësisht numri më i madh i viktimave janë ata që me vonesë kërkojnë ndihmë.

“Mbi 50% e pacientëve që fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID-19 janë pacientë që kanë qenë të shtrirë për kohë të shkurtër në Klinikë, e kanë qenë të pranuar në gjendje të vështirë shëndetësore. Kanë qenë në kushte shtëpie dhe paraprakisht nuk kanë kërkuar asnjë lloj ndihme mjekësore. Këtë nuk duhet ta lejojmë. Kemi kapacitete spitalore dhe me çfarë dhe si të punojmë”, u shpreh Milena Stevanoviq, drejtoreshë e Klinikës Infektive.

Personeli në numër nuk është më i miri i mundshëm, por Stevanoviq shprehet se janë të gatshëm t’i bëjnë ballë çdo sfide.