“S’ka bukë të hajë”, çfarë thotë vjehrri i të arrestuarit për grabitjen e një banke


Vjehrri i të arrestuarit, (person me precedent penal per një grabitje të një banke në 2016-ën, për plagosje të një personi në Vlorë, si dhe për armëmbajtje pa leje) tha se 38-vjeçari i cili qëlloi sot ndaj Policisë në Radhimë nuk kishte lidhje me krimin. Ai pohoi se dhëndri i tij gjente punë ku të mundej, ndërsa nuk kishte me se të ushqente fëmijët. Po ashtu vjehrri i Gjinit nuk i kurseu akuzat për ish-drejtorin e Policisë së Vlorë, Jaeld Çela, (i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në trafikun ndërkombëtar të drogës me bandën e Habilajve), ndërsa shtoi se gjatë kohës së tij, dhëndri u shpall në kërkim.

“Ai s’ka bukë për darkë. Ne s’dimë gjë fare, tani erdhëm. Tani e morëm vesh nga vajza që aty kishin hyrë 500 policia në shtëpi. E shpallën në kërkim kur ishte ai shefi i degës, i pari, ai i degjeneruari që është shpallur në kërkim. Vajzën e gjetëm pa ndenja, me dy fëmijë të mitur. Ai s’ka grabitur asgjë, le të thonë ça të duan. Dhëndri ka rreth 6 vjet e ca në këtë banesë. Në atë banesë jeton vajza me dhëndrin. Ku ka gjetur punë ka punuar, ku të gjente punonte”, -tha vjehrri.