Situata pas “Reketit”, Sela kërkoi disa masa urgjente nga kryesia e re e BE-së


Në një shkrim autorial për javoren e specializuar për çështje evropiane, “New Europe”, lideri i partisë politike Aleanca për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut, për skandalin – rastin “Reket”, me çka ka kryesia e re e Bashkimit Evropian (BE) ka kërkuar të ndërmerren disa masa urgjente, transmeton Portalb.mk.

Sela është shprehur se, situata e krijuar pas publikimit të “Reketit”, është jashtëzakonisht e rëndë.

“Çfarë kjo nënkupton në thelb është falimentimi i vetë parimit të shtetit të së drejtës. Pas katër vite të PSP-së, vendi është rikthyer në pikën zero. Më keq se kaq, besimi i publikut në gjyqësorin është shkatërruar përgjithmonë dhe efektiviteti i politikës së deritanishme të BE-së është vënë në dyshim serioz”, shkruan Sela.

Ndërsa Parlamenti Evropian (PE) bëhet gati të fillojë punën dhe Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, po kompleton ekipin e saj, Ziadin Sela ka kërkuar masa të forta nga BE-ja për të vendosur shtetin e së drejtës në qendër të veprimit të saj në Maqedoninë e Veriut dhe ndalur kapjen e përhershme të gjyqësorit dhe prokurorisë nga pushteti ekzekutiv.

“Riangazhimin e Grupit “Priebe” për të kryer një analizë të situatës dhe dhënien e rekomandimeve për të adresuar dështimet sistemike në fushat kyçe të shtetit të së drejtës.
Ndërmjetësimi i një marrëveshje politike të ngjashme me Përzhinon midis katër partive më të mëdha politike për të adresuar të ardhmen e PSP-së dhe reformën e Prokurorisë Publike, regjistrimin e ardhshëm të popullsisë, rishikimin e kodit zgjedhor dhe të listave të votuesve, si dhe krijimin e një qeverie teknike për të çuar vendin në zgjedhje të përgjithshme menjëherë pas anëtarësimit në NATO.
Në lidhje me reformën e Prokurorisë Publike, të sigurohet vazhdimësia afatgjatë e PSP-së si organ autonom i cili i përgjigjet Parlamentit, zgjidhet dhe financohet nga ai, si parakusht për të siguruar përgjegjësinë penale të të gjithë autorëve të dyshuar për veprat e zbuluara nga skandali i përgjimeve, pavarësisht nga përkatësia partiake, dhe pa kufizime kohore për ngritje të aktakuzat dhe për përdorimin e përgjimeve si prova.
Krijimin e një ekipi të prokurorëve evropianë në kuadër të institucionit trashëgimtar të PSP-së, të udhëhequr nga një kryeprokuror evropian. Kjo potencialisht do të mund të ishte iniciativë e përbashkët me vendet anëtare të BE-së, si Franca e cila ka ndërmarrë angazhime të rëndësishme në këtë drejtim, si pjesë e strategjisë së tyre për Ballkanin Perëndimor të prezantuar nga Presidenti Macron në prillin 2019″, janë disa nga masat që Sela ka kërkuar nga BE-ja.
Siç thuhet më tej në kumtesën e ASH-së, Sela ka theksuar sen KE-ja tani e ka mundësinë të demonstrojë se, me të vërtetë kurrë nuk do të ketë kompromise kur bëhet fjalë për shtetin e së drejtës. Kjo sipas tij, do të bëhej duke zhvilluar ide të reja dhe duke adoptuar një qasje më gjithëpërfshirëse dhe më të guximshme në politikën e zgjerimit nga e cila përfitojnë si shtetet e ardhshme anëtare dhe ato ekzistuese të BE-së.