Situata e tensionuar me Iranin

Irani e ka cilësuar si armiqësor dhe provokues propozimin evropian për të krijuar një flotilje që shoqëron çisternat e naftës në Gjirin e Hormuzit. Autoritetet iraniane shprehen se një masë e tillë do të shkallëzojë më tej situatën tashmë të tensionuar në Gjirin Persik.

Situata është mjaft e ngarkuar, pasi Irani po mban një qëndrim gjithnjë e më agresiv në Gjirin e Hormuzit, një korridor i rëndësishëm global i transportit detar. Pasi forca speciale iraniane këtë muaj morën nën kontroll një çisternë që lundronte nën flamurin britanik, Londra reagoi duke bërë thirrje për bashkëpunim mes evropianëve për të mbrojtur mjetet e lundrimit. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë propozuar masa të ngjashme gjatë javëve të fundit. Qëndrimet armiqësore të autoriteteve në Teheran kanë nxitur reagime edhe të komuniteteve emigrante iraniane. Dje një grup aktivistësh ishin mbledhur në Londër me thirrjet për masa më të forta ndëshkuese ndaj Teheranit:

Një grup iranianësh që jetojnë në Britani u tubuan në qendër të Londrës të shtunën me thirrjet për sanksione më të rrepta ndaj Iranit. Dowlat Nowrouzi është përfaqësuese e Këshillit Kombëtar të Rezistencës Iraniane.

“Një ndarje reale e fesë nga shteti, një republikë reale demokratike që respekton të drejtat e barabarta të grave, gjinitë, dhe të drejtat fetare dhe etnike të pakicave në të gjithë vendin. Duam të shohim dhënien fund të terrorizmit, të armëve bërthamore, nga regjimi më brutal dhe shtypës e veçanërisht nga roja revolucionare e atij vendi.”

Përmes një deklerate grupi iranian i kërkoi qeverisë britanike që të cilësojnë Rojën Revolucionare Iraniane, Ministrinë Iraniane të Zbulimit dhe udhëheqësin suprem Ali Khamenei si subjekte terroriste. Matthew Offord është ligjvënës konservator britanik.

“Po mbështes jo vetëm votuesit e mi por po shfrytëzoj këtë mundësi për të dërguar një mesazh për kryeministrin tonë të ri se, ajo që po ndodh në Iran dhe sjellja e regjimit të atij vendi nuk është në interes të Mbretërisë së Bashkuar, nuk është në interes të popullit iranian dhe nuk është në interes të rendit botëror. Besoj se tani është koha për të vepruar.”

Tensionet janë shtuar ndërsa Irani është bërë gjithnjë e më agresiv në Ngushticën e Hormuzit, një korridor i rëndësishëm për transportin globaldetar që kalon pranë ujërave territoriale të Iranit.

Në fillim të muajit njësi të Rojës Revolucionare Iraniane përdorën helikopterë dhe anije të vogla për të marrë nën kontroll një anije çisternë që lundronte nën flamurin britanik në Ngushticën e Hormuzit.