Sistemi shëndetësor i ngarkuar me pacientë me COVID-19, Maqedonia me mbi 21 mijë raste aktive

Maqedonia e Veriut vendosi masa kufizuese shtesë për të parandaluar valën e madhe të pacientëve që shkojnë në spitale dhe ku momentalisht ka 1.744 pacientë. Autoritetet thonë se kanë ndërhyrë me angazhimin e reparteve shtesë, kuadër shtesë me sistem të rotacionit në mënyrë që të të mirëmbahet sistemi shëndetësor dhe çdo pacient të sigurojë shtrat.

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i rasteve aktive arriti deri në 21.265, ndërsa vetëm dje u regjistruan 1.259 raste aktive nga 4.555 testimet dhe 45 të tjerë humbën jetën.
Në ndërkohë edhe dje vazhdoi vaksinimi masiv kundër coronavirusit në sallën “Boris Trajkovski” dhe në të gjitha spitalet e vendit. Nga 2.800 termine të caktuara rreth 2.500 qytetarë janë vaksinuar.
Sipas ministrit Filipçe sistemi shëndetësor është i ngarkuar.

“Duke marrë parasysh përvojën nga viti i kaluar kur festat fetare si muaji i Ramazanit dhe Pashkët, në mënyrë serioze e komplikuan gjendjen epidemiologjike, dhe nëse e njëjta ndodh tani me këtë sistem të ngarkuar, atëherë situata është vështirë të menaxhohet. Kjo është arsyeja e vendosjes së masave shtesë kufizuese me qëllim se edhe kjo vala e tretë e cila është më e fuqishme të përfundojë. Besoj se qytetarët do t’u përmbahen këtyre masave. Duhet të jemi të vetëdijshëm se sjellja personale, mbajtja e maskave dhe mbajtja e largësisë trupore kontribuon në përfundimin e kësaj vale”, tha Filipçe.

Filipçe potencoi se në Maqedoni duhet të vaksinohen rreth 7.000 qytetarë në ditë dhe se nga vaksinimi nuk ka pasur asnjë problem. Deri dje rreth 13 mijë qytetarë janë vaksinuar dhe, siç thotë ministri Filipçe, përveç dy rasteve që nuk kanë të bëjnë me vaksinën, nuk ka pasur efekte të tjera të padëshiruara.
Filiçe tha se rreth 90 për qind e punonjësve shëndetësorë që punojnë në Covid Qendrat janë vaksinuar dhe rivaksinuar, ndërsa në MPB dhe armatë ka interes të madh për vaksinim dhe pikërisht këto kanë prioritet për shkak se kanë kontakte më së shumti gjatë ditës.

“Ju bëj thirrje qytetarëve të jenë të vetëdijshëm se kjo është e vetmja armë kundër pandemisë, jo vetëm te ne, gjithkund në botë. Të gjitha vaksinat janë të sigurta. Aty ku ka dyshime jemi të vëmendshëm dhe presim rekomandime dhe mendime”, tha Filipçe.
Ndryshe, në Maqedoni që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 136.426 pacientë me coronavirus, ku prej tyre 111.139 janë shëruar dhe 4.022 kanë humbur jetën