Siniçan, banorët do të protestojnë edhe për Bajram

Ka vijuar edhe sot protesta në bjeshkën e Sharrit ku u ndërprenë punimet për ujësjellësin e fshatit Siniçan. Për dallim prej ditës së djeshme kur situata ishte më e tensionuar mes policisë dhe kreut të komunës Albon Xhemaili, situata ditën e sotme ishte më e qetë. Në vendngjarje është edhe policia që nuk po lejon vazhdimin e punimeve. Ndërsa, disa metra larg policisë, në shenjë proteste, që nga dita e djeshme vazhdojnë të qëndrojnë banorët e fshatit Siniçan, të cilët shprehen këmbëngulës për të vazhduar me protestat e tyre deri në zgjidhjen e kontestit.

https://www.youtube.com/watch?v=EPXftiGnBi8&feature=emb_title

“Ne jemi që dje në ora 10 këtu, dhe do vazhdojmë derisa të marrim ujin për pije. Për dallim nga vendet tjera, ne nuk kërkojmë asgjë tjetër veç ujit për pije. Vendet tjera kërkojnë ujë për luks për pishina ne kërkojmë ujë për pije, për asgjë tjetër”

“Nuk ka festë më të mirë nëse festojmë bashkërisht për qëllimin e ekzistencës tonë. Vijmë të protestojmë dhe të kërkojmë prej organeve kompetente të na sjellin ujë në fshat

“Këta mendojnë se do heqim dorë nga kjo por por jo. Ne nuk heqim dorë nga kjo derisa uji të shkoj në shtëpitë tona. Duhet të na lejojnë punën të punojmë ose përndryshe ata le të rrinë në Shkup ne do rrimë këtu”

Krahas protestës së banorëve të fshatit Siniçan, në protestë dolën edhe banorët e fshatit Urviç, që pretendojnë se burimi i ujit iu takon atyre

“Zoti kryetar a nuk gjete kohë të vish tek ne tëtë pranojmë dhe të garantojmë siguri qind për qind. Do gjejshim një mes bashkë tërhiq e mos e këput”

“Unë kam qenë aktivist i zotëriut, ku ka qenë zotëriu deri më tani që të vij tmë pyes se çka është puna”

“Kohërat janë të këqija me pandemi, kurbeti vdes, ne jemi zanatlinj me kurbet mbytemi. Ai ujë do na duhet nesër për të mbjellat që të ushqehemi”

Për dallim prej protestës së banorëve të Urviçit e cila zgjati vetëm një orë, banorët e Siniçanit vazhdojnë edhe më tej të qëndrojnë në vendin ku zhvillohen punimet. Sipas deklaratave të tyre, ata do vazhdojnë me protesta në vendin e punimeve edhe përgjatë festës së Bajramit.