Sindikata e policisë në Maqedoni kërkon shpërblim 25 mijë denarë për çdo polic

Pas paralajmërimeve se punonjësit e MPB-së nuk do të marrin shpërblime për mundin në “luftën” me virusin Covid-19, Ministri Naqe Çulev dje ju bëri thirrje sindikatave të policëve që të reagojnë dhe të kërkojnë nga Qeveria e Maqedonisë shpërblime të merituara për çdo polic.

Këtë e kanë bërë sindikatat dhe i janë drejtuar sot Qeverisë së Maqedonisë që policëve të ju paguhet një shpërblim prej 25 mijë denarëve apo (405 euro) për mundin në procesin e parandalimit të përhapjes së pandemisë nëpër gjithë territorin e vendit.

Këtë kërkesë sindikata sot i’a ka drejtuar ministrit Çulev dhe Qeverisë, duke e arsyetuar “Shpërblimi i paralajmëruar dhe mos përfshirja e këtyre shpërblimeve në rebalancin e buxhetit është nënvlerësuese për të gjithë policinë dhe për këtë ju përkujtojmë se sakrificën e policëve e kanë parë edhe qytetarët dhe për këtë kërkojmë që lartësia e shpërblimit të jetë në 25 mijë denarë” thuhet mes tjerash në deklaratë.

Përndryshe, në Maqedoni është paraparë edhe shpërblim prej 25% edhe për stafin mjekësor që është përfshirë në trajtimin dhe shërimin e pacientëve të prekur me Covid-19.