Sindikata e mjekëve të Qendrës Klinike paralajmëron grevë


Vendimi i mantel bardhëve për të protestuar bëri që të shtyhet për disa ditë greva e paralajmëruar për mos pagesën adekuate të punës që bëjnë. Duke ndjekur shembullin e Klinikës së Onkologjisë ku do t’u paguhen kujdestaritë në mënyrë retroaktive, në gjithë Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” punonjësit u mobilizuan për grevë. Por, Ministri Shëndetësisë i parapriu grevës. Takoi sindikalistët për të kërkuar kohë në përpjekje të plotësimit të kërkesave të tyre.

“Në bisedë me përfaqësuesit e sindikatës së Qendrës Klinike ramë dakord që kjo grevë e paralajmëruar të shtyhet për dy javë, që ndërkohë do të komunikojmë me drejtorët e Fondit shëndetësor dhe Ministrin e Financave sepse tani jemi në fazë të negociatave për tu siguruar buxhetin për vitin e ardhshëm të gjitha Institucioneve publike shëndetësore”, tha Bekim Sali, Ministër i Shëndetësisë.

Nga Ministria e Shëndetësisë zotohen se kërkesat e doktorëve, infermiereve dhe personelit jo mjekësor do të procedohen edhe në ekzekutiv për të gjetur zgjidhje gjatë konsolidimit të buxhetit të vitit 2023. Nga Sindikata thanë se po bëjnë kompromisin e kohës për hir të pacientëve vetëm që mos të bllokojnë punën në klinika, por sërish mbeten të palëkundur në kërkesat e tyre, që ishin edhe premtimet parazgjedhore të pushtetit.

“Pas takimit me Ministrin e Shëndetësisë do të pasojë takimi edhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, nuk zmbrapsemi nga kërkesa jonë, e cila na është premtuar për rritje lineare të pagave për 2850 denarë. Jo vetëm kjo, kemi kërkesa tjera lidhur me kujdestaritë, koeficientin e pagave dhe kushtet e punës”, thonë nga Sindikata e mjekëve të Qendrës Klinike.

Ky reagim i mantel bardhëve erdhi në kohën kur ministri ka iniciuar revizione për të parë produktivitetin në punë të personelit mecidinal, në mënyrë që ku ka lëshime të ndëshkoj dhe ku ka përparime të merr në konsideratë për rritje të pagave. Në kuadër të kursimeve, në shqyrtim është edhe mundësia e heqjes plotësisht të drejtorëve organizativ nëpër 28 klinikat e Qendrës Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup. Kreu i shëndetësisë tha se ekziston mundësia e rikthimit të sistemit që klinikat të funksionojnë vetëm me drejtor medicinal, sepse nga pagat e atyre ekonomik do të kurseheshin qindra mijëra euro./Alsat.mk