Sindikalistët: “Jetesa është bërë e papërballueshme me këto paga” (VIDEO)

1 Maji, Dita e Punëtorëve në Shkup do të shoqërohet me protesta. Lidhja e Sindikatave, e cila është organizatore e protestës të së dielës, kanë bërë të ditur se kërkesë thelbësore mbetet rritja lineare e pagave të të gjithë punëtorëve në harmonizim me pagën minimale, përfshirë këtu sektorin publik dhe atë privat.

Në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave shpenzimet për jetesë brenda vitit janë rritur për 9%, kundrejt rritjes së pagës mesatare prej 7% krahasuar me muajin shkurt të një viti më herët. Sindikalistët thonë se vala e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, karburanteve etj., e bën të papërballueshme mbijetesën me të ardhurat që marrin.

Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut, Darko Dimovski, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se përmes protestës së një majit ku është paraparë të marrin pjesë punëtorët nga sektori publik dhe ai privat, synohet t’i dërgohet një porosi e qartë Qeverisë, po njëkohësisht të gjithë punëdhënëse, se nuk do të lejojnë t’u shkelet dinjiteti punëtorëve.

Dimovski ka bërë të ditur se në bazë të analizave që ka Lidhja e Sindikatave, më shumë se 700.000 punëtorë në Maqedoninë e Veriut, janë të prekur nga nevoja e rritjes së pagës si rrjedhojë e rritjes së inflacionit. Kërkesa për harmonizimin e pagave pasoi rritjen e pagës minimale për rreth 50 euro, përkatësisht rritjes nga 15 mijë në 18 mijë denarë ku janë të përfshirë rreth 80 mijë punonjës. Ligji për pagën minimale parashikon që brenda gjashtë muajve, sipas nenit 8, të gjitha pagat e tjera, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, të rriten gradualisht. /SHENJA/