Simptoma të mundshme të Covid-19 në lëkurë

Mjekë në Itali dhe SHBA njoftojnë për ndryshime në lëkurë tek të infektuarit me Covid-19. A mund të klasifikohen ato si simptoma specifike të virusit?

Sëmundja Covid 19 ka efekte të shumta në trup. Sipas Institutit gjerman për Epidemiologjinë Robert Koch simptomat më të zakonshme përfshijnë ethe, këputje dhe lodhje në përgjithësi, kollitje, dhimbje koke dhe dhimbje trupi, çrregullime të shqisës së shijes dhe nuhatjes ose diarre.

Tani ka njoftime për shenja të tjera jo të zakonshme për këtë sëmundje. Dermatologu italian, Sebastiano Recalcati, njoftoi për pulla ngjyrë mavi që ishin formuar në këmbët e një pacienti 13-vjeçar me Covid-19. Edhe mjekë të tjerë njoftojnë për shenja të ngjashme tek fëmijët dhe adoleshentët. Sipas Recalcatit ndryshime në lëkurë, kryesisht forma të ndryshme skuqjeje të lëkurës, janë konstatuar në 18 nga 88 pacientë me Covid-19.

Vëzhgime të ngjashme janë bërë në SHBA, ku “Akademia Amerikane e Dermatologjisë” ngriti madje dhe një bazë të dhënash në të cilën mjekët duhet të depozitojnë shenja përkatëse në rastet e pacientëve me Covid-19.

Shenja jo specifike

Skuqjet e lëkurës apo forma të tjera dermatiti nuk janë të rralla në rastet e sëmundjeve virale – shpesh ato nuk janë pasojë direkte por indirekte e infeksionit, për shembull kur sistemi imunitar reagon ndaj virusit ose për shkak të furnizimit të pamjaftueshëm me gjak që shkakton dëmtime në lëkurë. Sipas prof. dr. Bernd Salzberger, President i Shoqatës Gjermane për Sëmundjet Infektive, “ndryshimet e përshkruara në lëkurë me siguri nuk mund të klasifikohen si simptoma specifike të Covidit-19 dhe janë mjaft të rralla.”

Salzberger i relativizoi fort edhe njoftimet e disa mediave, të cilat nisur prej njoftimeve të mjekëve në Itali, pretendonin për një metodë të re të mundshme për diagnostikimin e Covid-19. Edhe dermatologu Recalcati thotë se ndryshimet e lëkurës mund të jenë simptoma që shfaqen në shumë sëmundje virale dhe se baza e të dhënave është ende shumë e vogël për të arritur në përfundime bindëse.