Simovski: Përkundër gjitha sfidave, regjistrimi është i saktë

“Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave 2021, është regjistrimi i parë sipas shumë parametrave – i pari pas dy dekadave, i pari pas pandemisë, i parë me metodë të kombinuar, i pari që është regjistruar edhe diaspora dhe më e rëndësishmja është se ka përfunduar me sukses”.

Këtë në një intervistë për MIA, e deklaroi drejtori i Entit Shtetëror për Statistika (ESHS) Apostoll Simovski. Ai tha se është krenar duke shtuar se regjistrimi është efikas, profesional dhe i përfunduar me sukses.

Simovski gjithashtu thotë se analiza e kryqëzuar e të gjitha të dhënave, nuk lë hapësirë ​​për manipulime dhe kur ke baza serioze të të dhënave përmes të cilave kontrollon disa herë të dhënat e mbledhura, mundësia e gabimit praktikisht nuk ekziston. Sipas tij, informacioni i saktë për gjendjen reale të popullsisë do t’i japë shtetit mundësinë për të krijuar politika që mund t’i përgjigjen më mirë nevojave të qytetarëve dhe biznesit.

Publikimi i të dhënave do të bëhet radhazi, sipas grupeve të të dhënave. Grupi i parë i të dhënave që do të publikohet nesër përfshin të dhëna për popullsinë totale rezidente, totalin e popullsisë jorezidente, gjininë, moshën, përkatësinë etnike, fenë, gjuhën amtare dhe gjuhën e zakonshme të familjes, numrin e banesave dhe numrin e familjeve, ndërsa në muajt në vijim do të publikohen grupe të dhënash për karakteristikat arsimore dhe ekonomike të popullsisë, strehimin, familjet, aftësinë e kufizuar.

Ndryshe, statistikat janë pjesë e kapitullit të parë në procesin e negociatave me BE-në, që sipas Simovskit do të thotë se pa statistika asnjë kapitull nuk mund të hapet apo mbyllet. Statistikat, me përjashtim të Kapitullit 18 të saj, duhet të jenë mbështetëse për të gjithë kapitujt e tjerë.