Silvio Berlusconi pozitiv me COVID-19

Politikani historik i Italisë, Silvio Berlusconi ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Lideri i partisë “Forza Italia” ka bërë një test pasi ishte kthyer nga një pushim në Sardenja në mes të gushtit ku ka takuar edhe milionerin Flavio Briatore, ku dhe ai ka rezultuar pozitiv disa ditë më parë së bashku me 50 të tjerë që punonin në lokalin e tij në ishullin e Sardenjës. Mjeku personal i Berluskonit, Alberto Zangrillo, gjithashtu edhe drejtor i Anestezisë dhe Rianimacionit në spitalin San Raffaele të Milanos, ka siguruar se Berlusconi është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Presidenti vazhdon të punojë nga rezidenca e tij në Arcore, ku do të kalojë periudhën e detyrueshme të izolimit“, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga mjeku i tij.
Berlusconi është në mesin e 1326 rasteve të reja pozitive me Covid 19 që Italia regjistroi 24 orët e fundit nga 102,959 teste të kryera.
Numri i përgjithshëm i infeksioneve që prej fillimit të pandemisë ka shkuar në 271,515.