Një grup prej katër gazetarësh nga Afganistani, të cilëve Maqedonia e Veriut u ka ofruar qëndrim të përkohshëm deri në nisje në një vend të tretë me kërkesë të Organizatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.
Bëhet fjalë për gazetarë të cilët kanë punuar për mediat vendase dhe korrespondentë të mediave të huaja, dhe pas rënies së qeverisë demokratike, kanë marrë kërcënime me vde*kje nga talibanët.
Pas aterrimit në aeroportin e Shkupit ndaj tyre është kryer procedura standarde – kontroll sigurie, mbrojtje dhe test PCR. Gazetarët në fjalë përkohësisht do të vendosen në Shkup, ndërsa shpenzimet i mbulon në tërësi organizata Gazetarët për të Drejtat e Njeriut. Aktualisht në vend përkohësisht janë vendosur 534 shtetas të Afganistanit për të cilët institucionet ofrojnë mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme, ndërsa nga Maqedonia e Veriut deri më tani janë larguar 85 qytetarë, duke siguruar qëndrim të përhershëm në Francë, Greqi, Irlandë, Portugali, Brazil dhe SHBA.