Si u zhdukën 500 milion euro që ishin dedikuar për Likovën

Në Maqedoni akoma heshtet çështja e Konferencës Donatore Ndërkombëtare pas konfliktit të vitit 2001 për revitalizimin e zonave që u përfshin në këtë konflikt, njofton agjencia e lajmeve INA.

Më 12 mars të vitit 2002 në Konferencën Ndërkombëtare Donatore në Bruksel, Maqedonia përfitoi mbi 500 milion euro për përmirësimin e gjendjes pas konfliktit të armatosur të vitit 2001. Nga këto fonde të përfituara, 307 milion euro ishin mjete financiare që menjëherë shkuan në llogarinë e shtetit, prej të cilave 185 milion ishin paraparë për mbështetjen e bilancit pagesor në buxhet, që do të thotë para për rroga, pagesa dhe mbulim të zbrazëtive të buxhetit, 85 milion euro për rikonstruimin e objekteve të rrënuara nga lufta dhe 49 milion për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Pas kalimit të 17 viteve nga kjo konferencë, Qeveritë dhe institucionet në Maqedoni, por edhe zyrat e europerëndimore nuk kërkuan asnjëherë llogari apo revizion të plotë lidhur me harxhimin e këtyre”, reagon organizata joqeveritare OBRIE.

“Partitë shqiptare nuk kanë qenë të afta të sjellin investime në zonat e varfra shqiptare, për krijimin e kushteve për vende të reja të punës, ndihmën dhe legalizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, tërheqjen e investimeve të reja, përmirësimin e transportit në zonat e largëta, hapjen e pikave të reja kufitare në pjesën veriperëndimore me Kosovën dhe Shqipërinë”, thekson OBRIE, duke shtuar se kjo gjendje tregon për një solidaritet totalisht të munguar për të integruar dhe mbështetur një zhvillim të qëndrueshëm në provincat e humbura shqiptare, transmeton njoftimin agjencia e lajmeve INA.