Si t’i ndihmojmë fëmijët të kalojnë frikën e klasës së parë?

Psikologia Ema Jashari-Skeja, tregoi në PDTM të RTV21 se di duhet ndihmuar fëmijët të kalojnë frikën e klasës së parë. Sipas saj, ndër gabimet më të mëdha, të cilat has me prindërit që i bëjnë në raport me fëmijët e tyre është autoriteti, të cilin ia veshin mësueses para se ta takojnë fëmijët.

“Ky është një autoritet që fëmija nuk e di akoma se çka do të ndodhë me atë, sepse ata e përshkruajnë mësuesen si një personalitet i cili do të jap shumë rregulla, ka brenda klasës rregulla, nuk ka lojë është ambient strikt në të cilin fëmija duhet të qëndrojë vazhdimisht vetëm i ulur”, tha Jashari-Skeja. Ajo theksoi se është gabim po ashtu që fëmijëve t’u thuhet se në shkollë janë vetëm pesë minuta pushim, kur ata akoma nuk e njohin konceptin e kohës.

“Pa pasur koncepte të tilla, nëse ne flasim me terminologji të tilla te fëmija, ndrojtja shndërrohet në frikë. Në momentin që ndrojtja na kalon në frikë, atëherë do të kemi një problematikë të theksuar me stresin, me tendencën për t’u përshtatur, me ankthin e ndarjes, me idenë që unë jam në një ambient shumë të strukturuar që nuk do të guxoj të tregoj kërkesat e mija”, theksoi ajo. Jashari-Skeja tregoi se ka shumë prindër që ankohen për urinimin e fëmijëve në klasë, gjë që thotë se është shkak i ndikimeve që i bëjnë prindërit te fëmijët.

“Duhet të kemi parasysh që fëmijëve klasën e parë ua përshkruajmë si një vend të ri në të cilin fëmija do të përshtatet, do të takojë shokë dhe shoqe të reja dhe do të takojë një mësuese dhe plan program të ri. Është mirë fëmijëve t’u themi që ‘ti në fund të klasës së parë do të jesh në gjendje të lexosh një libër të tërë pa ndihmën time’”, tregoi psikologia./21Media