Si nëpër filma: Shqiptari i arratiset policisë, të shtëna dhe momente frike në Romë

Momente frike mëngjesin e së dielës në Romë. Protagonist i kësaj ngjarjeje negative është një 39-vjeçar shqiptar. I riu, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, drejtonte një makinë dhe iu largua patrullës së policisë pasi këta të fundit i kërkuan që të ndalonte. Siç duket edhe nga videot e bëra publike nga mediat italiane, pasi u ndalua shqiptari kërkoi sërish të arratisej, kësaj here duke shkelur gazin deri në fund pa marrë parasysh që përpara kishte një makinë policie.

Shqiptari u arrestua nga disa policë të armatosur në hyrje të Vatikanit. Por bëri rezistencë. Mediat raportojnë edhe për të shtëna me armë nga ana e policisë. E gjithë ngjarja ndodhi në një zonë të populluar me turistë pranë San Pietros për shkak se pritej një dalje tradicionale e Papa Françeskut. Deri më tani nuk dihen arsyet se pse shqiptari iu arratis efektivëve.

Shqiptari ishte në drejtimin e një makine tip “BMW”. Në fillim ishte një patrullë policie që vuri re lëvizjen e tij të dyshimtë përgjatë rrugës Vittorio Emanuele. Pasi vuri re autoritetet nga pas, shqiptari rriti shpejtësinë dhe doli në një rrugë tjetër. Pasi u përplas nga një makinë policie ai i ka dhënë gaz makinës dhe është larguar. Ndjekja ka vijuar dhe më pas mjeti i tij është rrethuar nga disa makina policie. Një prej tyre i ka dalë përpara dhe e ka bllokuar që të vijojë lëvizjen. Pavarësisht kësaj, shqiptari i jep gaz dhe vendi i ngjarjes shoqërohet me tym për shkak të xhirimit të gomave.

Një prej karabinierëve, me qëllim që të nxirrte shqiptarin, ka qëlluar me pistoletë gomën e pasme të djathtë të makinës. Është dashur ndërhyrja e disa efektivëve të cilët kanë nxjerrë nga mjeti shqiptarin. Ai ka qenë i hutuar. Mediat shkruajnë se mund të ketë qenë nën ndikimin e drogës. Fillimisht u çua në komisiariat ndërsa më pas në urgjencën e spitalit. Për momentin, autoritetet thonë se veprimet e tij nuk kanë lidhje me daljen publike të Papës dhe mbledhjen e mijëra besimtarëve në shesh.

Për ta neutralizuar shqiptarin u përdorur arma elektrike. Ndërkohë mësohet se i riu ka precedentë të mëparshëm për drogë, plagosje dhe dhunë në familje. Gjatë arratisjes ai hodhi nga dritarja portofolin dhe orën. Gjeste që sipas mediave italiane lidhen me gjendjen e tij të pasigurt psikologjike, ndoshta edhe për shkak të përdorimit të drogës. Si pasojë e ndjekjes janë dëmtuar edhe dy policë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën./tvklan.al
Video në linkun më poshtë:
https://www.instagram.com/p/CfCFVwZAK1D/?utm_source=ig_embed&ig_rid=a62e55b9-fb38-47f2-badc-0cdcb9ecd511