Si ishte raportuar vrasja e Muamed Asanit-Meka në vitin 2013

Sot një person ka pranuar se ka kryer vrasjen e Muamed Asanit në vitin 2013.

Nga mediat në vitin 2013 ishte raportuar kështu për vrasjen e tij;

Policia, gjatë një patrullimi të zakonshëm në autostradën Tetovë-Gostivar ndërmjet fshatit Zherovjan dhe Pirok, ka vërejtur një trup të pajetë, të mbuluar tërësisht me gjak, që shtrihej pranë një veture të ndaluar por të ndezur. Trupi ishte në pozicion të shtrirë në shpinë, ndërsa në pjesën e sipërme të trupit dhe në kokë kishte plagë të shkaktuar me armë zjarri.

Menjëherë është thirrur Ndihma e Shpejtë, por mjekët kanë mundur vetëm të konstatojnë vdekjen e të qëlluarit. Trupi, i cili më vonë u konstatua se i përkiste Muhamed Asanit, me urdhër të një gjyqtari hetues, i cili së bashku me ekipin e SPB Tetovë dhe një prokuror publik kreu inspektimin në vendin e ngjarjes, u dërgua për autopsi. Gjatë inspektimit u gjetën dy gëzhoja të zbrazëta nga një pushkë automatike me kalibër 7.62 milimetra, të cilat u morën për ekspertizë së bashku me gjurmët e gjakut dhe gjurmë të tjera.

Policia e Tetovës po punon për të zbuluar autorët dhe për të sqaruar të gjitha detajet në lidhje me vrasjen e Asanit. Nga atje informojnë se Asani më parë ishte i njohur si shkelës i shumtë i rendit dhe qetësisë publike dhe ndaj tij kishte disa kallëzime penale.