Si do ta ndryshojë pandemia e koronavirusit mënyrën se si ne hamë jashtë?

Restorantet që luftojnë për mbijetesë në vendet e goditura rëndë nga pandemia e koronavirusit, kanë filluar të shtrojnë pyetjen: si të tërheqim klientët, kur izolimi të përfundojë?

Konsumatorët, shumë prej të cilëve po gatuajnë në shtëpi dhe po përballen me vështirësi ekonomike, ka të ngjarë të mos shkojnë dhe për disa kohë në bare apo restorante.

Restorantet janë një nga disa industritë që do të përballen me pengesa të mëdha, për t’i bërë klientët të rikthehen të qetë.

Për të mbijetuar, bizneset do të duhet të bëjnë klientët të ndjehen të sigurt, duke ndarë dhe distancuar tavolinat dhe të gjejnë mënyra për të minimizuar kontaktin njerëzor, siç janë porosia digjitale dhe pagesat.

Restorantet do të duhet të krijojnë më shumë distanca midis tavolinave, thotë Jack Li, CEO i firmës kërkimore, Datassential. Ata gjithashtu do të përpiqen të miratojnë mënyra të pagesave pa kontakt, që nuk kërkojnë prekjen e parave ose kartave të kreditit, shton ai.

Disa shërbime mund të zhduken. Punëtorët mund të kenë nevojë të veshin doreza dhe maska, ndërsa enët e kuzhinës mund të sterilizohen dhe të përdoren vetëm për një person. Pjatat e përbashkëta mund të mos praktikohen më si shërbim.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom tha javën e kaluar se kontrollet e temperaturës në derë mund të bëhen të zakonshme.

Rreth një e treta e konsumatorëve amerikanë ende mendojnë se nuk do të jetë e sigurt të darkojnë në restorante për rreth tre muaj, thotë një studim i fundit në SHBA. Sipas studimit, konsumatorët nuk janë të gatshëm për grumbullime të mëdha që e bëjnë të pamundur të mbash distancën.