Është e paqartë se si shumica aktuale do të shtyjë deri në fund procedurat parlamentare, përfshirë edhe atë më urgjenten, miratimin e buxhetit për vitin 2022. LSDM-ja thotë se fillon negociatat për zgjerimin e shumicës.“Fakt është se mbrëmë u konfirmua ajo që thonim gjithë kohës se shumica e deputetëve janë për përparim. Në radhë janë bisedime me të gjithë deputetët dhe fuqitë demokratike që e mbështesin atë që u konfirmua mbrëmë dhe sigurisht që LSDM-ja në periudhën e ardhshme do të punojë për të siguruar përparimin e vendit.”- deklaroi Bogdanka Kuzeska, LSDM.VMRO-DPMNE-ja kërkon urgjentisht zgjedhje të parakohshme. Sipas tyre, asnjë proces më nuk mund të ecë përpara.“Кјо Qeveri nuk ka më legjitimitet të vazhdojë të udhëheqë. Ata munden me metoda demokratike të detyrojnë me forcë edhe një, dy ose tre deputetë por nuk mund ta ndryshojnë realitetin. Populli në zgjedhje më 31 tetor tregoi se dëshiron ndryshime. Ne kërkojmë zgjedhje të parakohshme. Gjatë periudhës së ardhshme organet e partisë do të mblidhen dhe do të vendosin çfarë më tej.”- pohoi Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.
Aleanca për Shqiptarët mbetet në anën e opozitës dhe paralajmëron hapa të tjerë për të kundërshtuar politikat e pushtetit. “Me 61 nënshkrime duhej të rrëzohej kjo Qeveri dhe ne të deklaronim publikisht që nëse rrëzohet Qeveria shkojmë në hapin e dytë e që është përpjekja për të qenë pjesë e një shumice të re parlamentare. Tani kjo është situatë e re. Por fillimisht të marrim informacion dhe organet të dalin me informacion të saktë se çka ndodh me deputetin, nëse ai është mirë dhe shëndoshë ai mund të ketë lirinë e vet ta ndryshojë mendimin por jo të zhduket. Pastaj do të shohim, ne prej zgjedhjeve nuk ikim assesi.”- tha Halil Snopçe, Aleanca për Shqiptarët.Alternativa hedh poshtë zërat se e ka vendosur të bëhet pjesë e shumicës aktuale me katër deputetët e saj. Kreu i partisë Agrim Gashi në emisionin 360 gradë në Alsat deklaron se hapat e ardhshëm do t’i diskutojnë fillimisht me partitë opozitare dhe më vonë do të marrin vendim partiak.“Parimore është që ne të diskutojmë së pari me VMRO-në dhe me Aleancën për Shqiptarët, të shohim cili është koncepti i tyre për zhvillimin e proceseve të mëtejme, se si e shohin ata dhe si e shohim ne procesin apo daljen nga kriza. Nëse kemi pika të përbashkëta, nëse dakordohemi, unë mendoj se ne do të vazhdojmë të qëndrojmë konzistent në atë që kemi qenë deri tani, opozitë konstruktive. Por nëse nuk merremi vesh, tek pastaj mund të shohim çfarë pritet nga ne.”- pohoi Afrim Gashi.
Aktualisht, sipas deklarimeve, numrat janë 60 për opozitën ku janë edhe dy deputetët e Besës, dhe 59 nga ana tjetër, gjegjësisht LSDM dhe partnerët e koalicionit, BDI-ja dhe një deputet i PDSH-së. Kastriot Rexhepi nuk është deklaruar akoma për anën që do të mbajë. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi një ditë më parë deklaroi se formalisht, deputetët që kanë ndryshuar pozitën e tyre pushtet-opozitë do të duhet ta njoftojnë me shkrim për pozitën e tyre të re.