Shumica parlamentare beson se i ka numrat për të votuar rikonstruimin e Qeverisë. Ndonëse në disa seanca gjatë ditës, mezi u sigurua kuorumi për punë dhe miratimi i rendit të ditës, nga BDI thonë se numrat janë dhe i bëjnë thirrje të gjithëve që si Aleanca për Shqiptarët, t’i bashkohen frontit Evropian. “Sigurisht se ka shumicë të mjaftueshme madje edhe përtej asaj që është e nevojshme dhe domosdoshme për votim të Qeverisë. Dëshira jonë dhe ftesa jonë është edhe për Alternativën edhe për Besën dhe për të gjithë ata të cilët i bashkëngjitën ftesës për krijimin e frontit të përbashkët Evropian”, deklaroi Arbër Ademi, deputet i BDI-së.
Nga Aleanca për Shqiptarët, gjysma e deputetëve të së cilës sot nuk ishin prezent në sallë thonë se mbajnë përgjegjësi për 8 deputetët e tyre. Sipas deputetit Halil Snopçe, partia e tyre nuk do t’i hynte matematikave për t’u bërë pjesë e shumicës pa pasur numrat e sigurt.
“Ne nuk dyshojmë se do të ketë numra, mirëpo për atë që japim garanci janë 8 deputetët e ASH-së që e mbështesim këtë shumicë të re. Marrëveshja është e qartë. Ne nuk besojmë se dikush hyn aventurave të tilla pa pasur numrat. Ne si ASH i garantojmë votat e 8 deputetëve tanë”, tha Halil Snopçe, Deputet i ASH-së. Në seancën e parë sot nuk u paraqitën deputetët e Alternativës, parti e cila shkon në opozitë si pasojë e hyrjes së ASH-së në Qeveri. Në sallë nuk ishte as Izet Mexhiti i BDI-së, Skender Rexhepi si deputet i pavarur dhe as Kastriot Rexhepi. Vonë u paraqitën deputetët e Lëvizjes Besa, ndërsa kuorumin për punë e siguroi E Majta me dy deputetët e tyre, për shkak se VMRO-DPMNE-ja nuk hyri në sallë.