Shumë të rinj dëshirojnë të largohen nga vendi

Dy të tretat e të rinjve duan të largohen nga Maqedonia. Pjesa më e madhe prej tyre sipas një hulumtimi të Uestminster kanë deklaruar se nuk do të ishin kthyer më. Pikërisht për këtë, një ndër prioritetet e Strategjisë Nacionale për Rini 2023-2027 e cila filloi të përpilohet sot do të jetë edhe parandalimi i migrimit të të rinjve nga vendi, kështu pohoi edhe zëvendës drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport.

“80% e miqve apo shokëve të mi me të cilat kam qenë bashkë në shkollë fillore tani nuk i kam, mu për atë arsye konsideroj që është një problem shumë serioz që i tangon të rinjtë si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Për këtë, edhe në Strategjinë Nacionale për të Rinjtë ne do të mundohemi të gjejmë metodat dhe modalitetet sa më të mira që sadopak këtë proces të dhimbshëm ta ndalim”, tha Amir Bilalli, zëvendësdrejtor në Agjencinë për Rini dhe Sport.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, nga numri i përgjithshëm i popullsisë, gjithsej 17,8% janë të rinj, që i bije 150 mijë të rinj më pak se në vitin 2002. Kryetari i Parlamentit Studentor në Universitetin “Shën Kiril dhe Metodij” thotë se do të sigurohet që parandalimi i shpërnguljes së të rinjve, të jetë prioritet në Strategjinë e re rinore.

“Konsideroj që shpërngulja e të rinjve nga vendi është problemi më i madh i cili po ndodhë në shumë pjesë të shoqërisë dhe shumë sektorë. Kështu që mund të them që kjo me siguri duhet të jetë prioriteti më i madh i Strategjisë së re Nacionale për të Rinjtë të cilën duhet ta krijojmë sepse edhe në vetë programin e parlamentit studentor, masat të cilat i vendosim dhe programet të cilat i kemi bë për këtë vit konsideroj që mund të ndikojmë në paranadalimin e migracionit të të rinjve nga shteti”, deklaroi Slavco Temelkovski, kryetar i Parlamentit Studentor UKIM.

Në raportin e fundit të Bashkimit Evropian theksohet që numri i papunësisë te të rinjtë vazhdon të jetë i lartë, edhe atë 30.1%. Kjo sipas hulumtimeve është ndër arsyet kryesore pse të rinjtë vendosin të largohen nga vendi. Nevoja për përpilim të një strategjie të re rinore erdhi për shkak të dështimit në implementim dhe mos-përputhjes së nevojave reale të të rinjve në strategjinë e vjetër rinore e cila ishte përpiluar në vitin 2016./Alsat.mk