Shumë nxënës jashtë procesit mësimor online në Maqedoni


816 nga gjithsej 2047 nxënës të shkollës fillore “Vëllezërit Ramiz Hamid” të komunës së Shuto Orizarës kanë mbetur jashtë procesit mësimor online që në këtë shkollë po realizohet përmes platformës “Zoom”. Drejtori, Alvin Salimovski tha për “Alsat” se nxënësit po gjejnë mundësi të ndryshme për të mos humbur nga mësimi. Disa, duke u njoftuar me mësimet dhe detyrat përmes mesazheve të thjeshta telefonike ndërsa shumë të tjerë përmes Viberit ose postës elektronike.

“Shumë nga prindërit ose fëmijët nuk kanë pajisje të mençur ose nuk kanë lidhje interneti.. Në shkollën tonë, saktë ka 816 nxënës të cilët nuk kanë pajisje të mençura ose lidhje interneti. Këta fëmijë, në këtë moment, derisa zgjatë online mësimi janë totalisht të izoluar nga procesi arsimor. Me këta nxënës, mësuesit dhe kujdestarët e klasave kontaktojnë por në formë tjetër. Me Viber, Mesenger ose e-Mail. U dërgojnë njësi mësimore dhe marrin përgjigje”, tha Alvin Salimovski SHF “Vëllezërit Ramiz Hamid”.

Disa nga fëmijët që takuam në rrugë shprehen të kënaqur me procesin mësimor online. Të shqetësuar janë ata që detyrat i shkëmbejnë vetëm me porosi.

“Mësojmë me ZOOM, na tregojnë çfarë të bëjmë, i tregojmë detyrat e shtëpisë. Është interesante dhe mirë”.

“Shkruajmë në telefon dhe ia dërgojmë mësueses. Me Viber ose me ndonjë aplikacion tjetër? Me Zoom. Ajo na tregon si ti bëjmë detyrat e shtëpisë. A shiheni edhe me shokët dhe shoqet në Zoom? Po. Kontaktoni? Po”.

“Si mësoni tash nga shtëpia? Prej telefonit. E punojmë atë që e kemi detyrë, e fotografojmë dhe i’a dërgojmë mësueses”.

“Është më lehtë, jemi në shtëpi. Të gjitha lëndët po i mësojmë, janë të gjithë arsimtarët. Anglisht, maqedonisht. Gjermanisht. Detyrat i tregojmë në Zoom dhe e pyesim a është mirë ose keq”.

Ndërkohë, sipas prindërve mësimi online është proces i vështirë, madje ata shprehin shqetësimet e tyre për vlerësimin e drejtë të fëmijëve në fund të vitit.

“Pak është vështirë, vërtet mësojnë fëmijët në shtëpi por ndryshe është në shkollë”.

“Interneti është shumë i dobët dhe nxënësit me mësuesen nuk kuptohen mjaftueshëm. Nuk e di se si do të ndikojë deri në fund të vitit, si do ti vlerësojnë fëmijët”.

Drejtori i Shkollës paralajmëroi se gjatë javës që vjen në shkollë pritet të mbërrijnë një numër i caktuar i tabletëve për fëmijët me rrezik social, donacion i ambasadave dhe organizatave të ndryshme.