Shumë ankesa për shkelje të të drejtave të punëtorëve

Shkelja e të drejtave të punëtorëve në Maqedoninë e Veriut mbetet në krye të listës së ankesave te Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi si institucion shtetëror, anëtarët e të cilit i emëron Kuvendi.
Punëtorët thonë se pandemia ka nxjerrë në pah mosveprimin e institucioneve kur shkelen të drejtat e tyre. Më e prekur nga këto shkelje mbetet industria e tekstilit.

“Numri më i madh i ankesave nga më shumë se 170 sa i kemi shqyrtuar vitin e fundit (2021), kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të punëtorëve, përkatësisht shkeljen e marrëveshjeve mbi marrëdhënie pune”, thotë kryetarja e Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, Vesna Bendeska.

Ajo thekson se pasi të konstatohen shkelje, subjektet në fjalë janë obliguara që të veprojnë duke hequr shkeljet përkatësisht evituar dëmin që i kanë shkaktuar palës, në këtë rast punëtorëve në një afat prej 30 ditëve deri në gjashtë muaj.

“Një numër i caktuar i subjekteve i pranojnë rekomandimet tona dhe na njoftojnë se i kanë zbatuar rekomandimet tona, për çka kërkojmë dhe dëshmi me shkrim. Por, ka dhe një numër të madh që na njoftojnë se nuk e kanë ndërmend t’i zbatojnë rekomandimet tona. Në këto raste ne lëndën e procedojmë në gjykatë”, sqaron Bendevksa duke e theksuar si problem më vete edhe mosreagimin e shpejtë të gjykatave.

Kristina Ampeva, e cila është e angazhuar në industrinë e tekstilit dhe drejton organizatën joqeveritare “Glasen Tekstilec” (Punëtori i Zëshëm i Tekstilit) në Shtip, thotë se vërejtjet që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të punëtorëve kryesisht janë për mospagesën e orëve shtesë, shkelje e kontratave të punës, mosparaqitja e punëtorëve në Entin për Punësim e me këtë edhe mospagesa për ta për sigurim pensional dhe shëndetësor, etj.

Ampeva thotë se janë të shumta edhe rastet e shkeljes së të drejtave të punëtorëve që kanë të bëjnë me mosrespektimin e masave për mbrojtje nga koronavirusi , megjithëse shton se nuk mund të jepet një numër i saktë sepse punëtorët janë anëtarë në organizata të ndryshme sindikale, kështu që dhe denoncimet bëhen në vende të ndryshme.

Në këtë drejtim, Zdravko Savevski, aktivist për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, si shumë më problematike e konsideron faktin që në kushte të krizës ekonomike kur evidente janë shkelje të shumta të të drejtave të punëtorëve, pikërisht punëtorët nuk e ngritin zërin.