Shtyhet përkohësisht Ligji që mundëson ndryshimin e gjinisë (VIDEO)

Ligji për Evidencën Amë, me të cilin Qeveria propozonte që secilit t’i lejohet të ndryshojë gjininë me vetëm një akt noteri, është shtyrë përkohësisht. Ligji ishte propozuar në Kuvend nga Ministria e Drejtësisë me procedurë të përshpejtuar dhe duhej të hynte në procedura parlamentare që sot. Qeveria zyrtarisht nuk heq dorë nga ky propozim ligj, por vetëm shtyhet për një kohë pas reagimeve në opinion. Në nenin 8 të këtij propozim ligji thuhet se:

Neni 8
“’Identiteti gjinor’ – paraqet përjetim të brendshëm dhe individual të gjinisë për secilin person, e cila nuk korrespondon me gjininë e përcaktuar me lindje, përfshirë edhe ndenjat personale të trupit dhe manifestime tjera të gjinisë, siç janë: emri, veshja, të folurit dhe sjelljet”.
Ndërsa, neni 19 rregullon procedurën e ndryshimit të gjinisë. Sipas nenit 19c, gjinia mund të ndryshohet me një kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë dhe një deklaratë në noter.

NENI 19c
“Kërkesa për njohje ligjore të gjinisë dorëzohet përmes formularit forma dhe përmbajtja dhe mënyra e saj e dhënies e përshkruan Ministri i drejtësisë.

Në kërkesën e paragrafit 1 të këtij neni dorëzohen:
-kopje të letërnjoftimit të kërkuesit për njohje ligjore të gjinisë,
– deklaratë nga kërkesat për njohje ligjore të gjinisë e përpiluar në noter në formë të akt noterit se identiteti gjinor nuk është në përputhje me gjininë e emëruar në evidencën amë në momentin e lindjes…”
VMRO DPMNE thotë se ky ligj hap kutinë e pandorës dhe sfidon vlerat universale të etabluara në vendin tonë.

IVANKA VASILEVSKA, DEPUTETE E VMRO DPMNE-SË
“Nëse e shihni vetë propozim ligjin këtu ka aq shumë gjëra të palogjikshme dhe hapet një kuti e pandorës në bazë të së cilës do të duhet të hyjmë në një dimension të ri të jetesës, e cila është larg të etabluarës aktualisht si rend civilizues. Madje, mund të ju them qëndrimin personal se kjo është përqeshje e të drejtave universale të njeriut”.

Më herët edhe disa subjekte tjera, përfshi edhe partnerë në koalicionin qeveritar u shprehën kundër këtij propozim ligji. Arsyetimi i Qeverisë ishte se ligji vjen si harmonizim i legjislacionit pasi një shtetas i Maqedonisë së Veriut kishte fituar lëndën në Gjykatën e Strazburgit. Ligji mban vulën e ish kryeministrit Zoran Zaev, ndërsa përfaqësues të propozim ligjit para deputetëve ishin përcaktuar ish ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq dhe zv/ministri i Drejtësisë Agim Nuhiu.