Shtrëngohet edhe më shumë masa për kafenetë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme të 99-të miratoi masat e reja dhe protokollet anti-Covid-19.
Qeveria solli vendim se për hyrje në objekte hotelerike, kafene dhe bare, pa dallim të kapacitetit dhe numrit të të pranishmëve si dhe për çdo lloj feste (aheng, festë, dasmë, ditëlindje, koncert, seminar, trajnim, punëtori, konferencë, ngjarje kulturore dhe sportive, kazino, bastore sportive) të ketë të paktën një nga këto dokumente:

–Certifikatë për vaksinim kundër Covid-19 të paktën njërën dozë të vaksinës
–Vërtetim se e keni kaluar Covid-in në 45 ditët e fundit, duke e përllogaritur ditën e shërimit.

Kjo masë vlen për çdo lloj ngjarje në hapësira të hapura ku ka më shumë persona si dhe për hyrje në qendrat tregtare.
Në të gjitha objektet hotelerike, kafene dhe bare, me këtë masë ku kapaciteti është më shumë se 30 vizitorë, duhet të ketë shërbim për kontrollim dhe zbatim të masës. Në objektet hotelerike ku kapaciteti është më i vogël se 30 persona, kontrollin e bëjnë të punësuarit në këtë objekt.

Po ashtu mbetet në fuqi ndalesa për organizim të dasmave dhe ahengjeve në objekte të mbyllura, ndërsa llojet tjera të ngjarjeve në hapësira të mbyllura mund të organizohen me 30% të kapacitetit të vendit ku mbahet ngjarja dhe jo më shumë se 1.000 vizitorë me vërtetim të dokumenteve të Covid-19.