Shtrejtohet përsëri çmimi i energjisë elektrike

Energjia elektrike përsëri po shtrenjtohet. Ky vendim u mor mbrëmë vonë në një seancë të mbyllur qeveritare. Qeveria në largim vendosi që centralet elektrike shtetërore ta shesin energjinë elektrike të prodhuar më shtrenjtë te furnizuesi universal nga çmimi aktual që është 57 euro për megavat orë.

Televizioni 24 nga burimet e veta mëson se çmimi i ESM do të jetë disa euro më i lartë se ai aktual. Kjo do të thotë se marzhi i ulur i ofruar më parë nga EVN nuk do të ndikojë në uljen e çmimit për familjet dhe konsumatorët e vegjël. Situatën e bën më delikate fakti që, sipas informacioneve, ESM nuk do ta mbulojë të gjithë sasinë e energjisë elektrike, por në tender do të ofrojë vetëm 85%, ndërsa pjesën e mbetur furnizuesi universal do të duhet ta sigurojë nga një kompani tjetër.

Më parë, të gjitha pritjet ishin që çmimi i energjisë elektrike do të ulet, pasi në bursat botërore ka një tendencë për rënie të çmimit të energjisë elektrike. Para dhjetë ditësh, kryetari i Komisionit Rregullator të Energjisë, Marko Bislimovski, ndeklaroi se çmimi përfundimtar për familjet do të varet pikërisht nga çmimi i ofruar nga ESM për furnizuesin universal.

“Logjike është që ESM të sigurojë 100 për qind të nevojave të familjeve dhe për ata konsumatorë të vegjël që kanë mbetur në tregun e rregulluar. Sepse, sido që të jetë, mendoj se ESM tani do të ketë një çmim më të ulët se ai që është në treg,” thotë Bislimovski.

Sot nuk komentuan as funksionarët qeveritarë, as përgjegjësit në ESM. Publiku mbeti pa përgjigje për pyetjen se cila është arsyeja që autoritetet tani, kur çmimet në bursa janë mjaft të ulëta në krahasim me ato të disa viteve më parë dhe kur kriza energjetike është kaluar, vendosën të ndërmarrin këtë hap.

Familjet dhe konsumatorët e vegjël çmimin e ri zyrtarisht do ta dinë deri në fund të këtij muaji. Në pesë vitet e ardhshme, EVN Home do të jetë sërish furnizuesi universal me energji elektrike. Nga nëntori i këtij viti, plani i rregullatorit është që në vend të dy orëve të tarifës së lirë ditore, të ketë tre orë dhe kjo nga ora 13:00 deri në 16:00.