Shtohen lehtësirat në qarkullim, ja si vazhdon plani deri në hapjen finale….

Duke filluar nga sot, shtohen lehtësirat në qarkullim në të gjithë vendin, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në daljen e para pak ditëve më parë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manasatirliu, dhe Kryeministri Rama e përcaktuan 4 majin si data kur fillon edhe faza e dytë drejt rihapjes dhe rikthimit disi në normalitet.

Pasi u lejuan të dalin në rrugë të hënën e shkuar, sot taksitë do të kenë mundësinë që të bëjnë udhëtime jashtë qyteteve me dy persona familjarë si pasagjerë. Po ashtu, edhe zona e gjelbër nga sot do të jetë e zgjeruar me 18 bashki të tjera, duke e çuar në total në 38 bashki, ku qarkullimi mund të jetë më i lirë dhe pa shumë pengesë, por gjithmonë duke respektuar rregullat e distancimit fizik.

Ministrja Manastirliu njoftoi se duke filluar nga sot dhe në 2 javët në vazhdim do të zgjerohet akoma dhe më shumë numri i aktiviteteve që do të lejohen të hapen.

“Jemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe përcaktues për vijimin e situatës epidemike në vend. Nga vlerësimi i vazhdueshëm i të dhënave epidemiologjike, konstatohen ende vatra aktive infeksioni, në disa zona të vendit, ku po punohet intensivisht nëpërmjet testimit dhe gjurmimit agresiv të kontakteve. Strategjia e rihapjes, e hartuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, parashikon disa faza të lehtësimit të ngadaltë dhe të kujdesshëm të masave shtrënguese”, tha Manastirliu.

Gjithashtu, për ata që do të vijnë nga jashtë vendit, në zonat e cilësuara si të kuqe, do të lejohet karantinimi në shtëpi.

TAKSITË

Për taksitë, në momentin e parë që u hapën, pati disa ankesa se dalja e tyre në punë nuk solli efektin e duhur, për shkak të kufizimeve për të dalë nga qyteti, por edhe për shkak të numrit të vogël të qytetarëve që dalin nga shtëpia.

Nisur nga kjo gjendje, shërbimi taksi nga sot do mund të punojë edhe në transportin ndërqytetës, por sipas një protokolli sigurie të detajuar. Taksitë nuk mund të kenë më shumë se 2 persona, të cilët do duhet të jenë familjarë. Po ashtu, duhet të bëjnë dezinfektim të vazhdueshëm dhe nuk lejohet që të përdorin ajrin e kondicionuar gjatë udhëtimit.

FAZAT E HAPJES

Me këtë hap të hedhur sot, faza tjetër do të jetë të hënën tjetër, ku parashikohet që të hapen disa aktivitete, si qendrat estetike, klinikat dentare, qendrat tregtare dhe një liri më e madhe e makinave pa autorizim brenda qarqeve.

Ndërsa faza që mund të konsiderohet edhe si fundi i karantinës, do të jetë më 18 maj. Pas kësaj date, do të lejohet hapja e bareve dhe restoranteve, por në pjesën e tyre të jashtme, duke i mbajtur të bllokuara përkohësisht pjesët e brendshme të këtyre bizneseve.