Shteti me 99 për qind myslimanë arreston aktivistin ujgur me kërkesë të Kinës

Autoritetet në Marok kanë arrestuar një aktivist ujgur në ekzil për shkak të fletarrestimit për terrorizëm nga Kina, të shpërndarë në rrjetin ndërkombëtar nga Interpol-i, sipas informacioneve nga policia marokene dhe një grup për të drejtat e njeriut.

Aktivistët kanë frikë se Yidiresi Aishan do të ekstradohet në Kinë dhe thonë se arrestimi i tij është i motivuar politikisht si pjesë e një fushate më të gjerë të Kinës për t’i ndjekur figurat që shihen si disidentë jashtë vendit.

Drejtoria për siguri kombëtare në Marok tha të martën se një qytetar kinez është arrestuar pas arritjes në aeroportin “Mohammed V” në Kasablanka më 20 korrik, pasi kishte ardhur nga Stambolli
“Ai ishte subjekt i njoftimit të kuq, të lëshuar nga Interpol-i, për shkak të dyshimeve se është pjesë e një organizate në listën e organizatave terroriste”, thanë autoritetet marokene.

I ashtuquajturi njoftim i kuq ishte lëshuar nga Kina dhe nënkupton që i dyshuari është në listën e personave më të kërkuar. Kina e ka kërkuar ekstradimin e këtij personi, por autoritetet marokene thanë se me rastin tani do të merren prokurorët para se të zhvillohet procedura për ekstradim.
Aishan, baba i tre fëmijëve, ka jetuar në Turqi nga viti 2012, ku ka punuar di dizajnues i uebfaqeve dhe aktivist. Një mik dhe koleg i tij tha se ai i ka dokumentet për banim në Turqi.

Pas arrestimeve të përsëritura në Turqi, Aishan u largua nga Stambolli për në Kasablanka në mbrëmjen e 19 korrikut, tha një mik i tij.
Ndryshe, besohet se rreth një milion ujgurë po mbahen në kampe të përqendrimit në Kinë. Grupet për të drejtat e njeriut thonë se ata përballen me asimilim kulturor dhe shkelje të ndryshme të të drejtave, por Kina thotë se këto kampe përdoren për trajnime dhe edukim me qëllim të luftës kundër terrorizmit.