Shteti me 6 milionë banorë dhe zero raste me COVID-19 lejon OBSh-në të kryejë testime

Turkmenistani, shtet me rreth gjashtë milionë banorë dhe që zyrtarisht nuk ka raportuar asnjë të infektuar me koronavirus deri më tani, i ka dhënë leje Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të kryejë testim të pavarur pas shqetësimeve për shtimin e rasteve të pneumonisë.

Një raport në televizionin shtetëror të këtij vendi, ku u shfaq video-konferenca e liderit të Turkmenistanit, Gurbanguly Berdymukhamedov, dhe drejtorit të përgjithshëm të OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, nuk e përmendi shqetësimin e kësaj organizate për rastet e pneumonisë dhe as zotimin e presidentit për testim.
Megjithatë, Hans Kluge, drejtor i OBSh-së për Evropë, tha se agjencia ka shprehur shqetësim serioz për rritjen e rasteve të personave me pneumoni e pa koronavirus gjatë bisedës së të premtes mes drejtorit të përgjithshëm dhe liderit të këtij shteti.

Një mision i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në shtetin e Azisë Qendrore muajin e kaluar e këshilloi Turkmenistanin që të zbatojë masa, përfshirë përcjelljen e kontakteve, njësoj sikur koronavirusi të ishte duke qarkulluar, por nuk theksoi nëse dyshohet që qeveria është duke i fshehur rastet.
Turkmenistani e ka zbatuar izolimin mbarëkombëtar dhe ka kërkuar nga qytetarët që të përdorin maska me arsyetimin se në ajër ka pluhur dhe patogjenë, pa e përmendur koronavirusin, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Ky shtet vazhdimisht përmendet në mesin e vendeve më shtypëse në botë, ku nuk ka medie të lira apo institucione të pavarura për ta kontrolluar pushtetin e presidentit që njihet edhe me nofkën “arkadak”, që në gjuhën shqipe do të thotë “mbrojtësi”.