Shteti islamik merr përgjegjësinë për vrasje në Pakistan

Grupi ekstremist i Shtetit Islamik (IS) ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e një pjesëtari të komunitetit Sikh të Pakistanit.
Vrasja kishte ndodhur më herët gjatë javës në qytetin veriperëndimor të Peshavarit, raporton AP.

Përmes një deklarate IS -i tha se Satnam Singh, 45 vjeç, ishte “politeist” (besimi në shumë perëndi) duke shtuar se ai u qëllua për vdekje nga anëtarët e IS-it.

Zyrtarët pakistanezë vazhdimisht kanë mohuar praninë e organizuar të Shtetit Islamik në këtë vend, por në vitet e fundit grupi ekstremist ka marrë përsipër një numër sulmesh ndaj forcave të sigurisë, xhamive, tubimeve politike dhe pakicave fetare në vitet e fundit.

Policia tha se Singh u qëllua në Peshavar që gjendet në kufi me Afganistanin.

Personat e armatosur u larguan nga vendi i ngjarjes.
Singh kishte jetuar në këtë qytet për 20 vjetët e fundit dhe drejtonte një klinikë të vogël që shiste ilaçe bimore.

Shpërthimi në hotelin Serena në Kueta të Pakistanit. Përgjegjësinë për këtë sulm e morën militantët e Tehrik-e Taliban Pakistan. Pakistan, 21 prill, 2021.

Sulmet ndaj pakicës sikh kanë qenë të vazhdueshme në Pakistan.
Shumica e komunitetit sikh kishin emigruar nga territori që tash i takon Pakistanit për në Indinë fqinje më 1947 kur përfundoi sundimi britanik.
Megjithatë disa mijëra qëndruan në Pakistan.