Të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, është shpallur aktgjykim dënues ndaj Bekim Bashës, i akuzuar se ka kryer veprën penale të dhënies së rysh*fetit.
Pas pranimit të fajësisë, Basha u dënua me 1,200 euro gjobë.
Aktgjykimi u shpall nga gjykatësja Ajser Skenderi, pasi fillimisht u mbajt shqyrtimi fillestar në po të njëjtën ditë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Arijana Shajkovci, i akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale e cila i ngarkohet në bazë të aktakuzës.
Me pranimin e fajësisë u pajtua edhe prokurorja Shajkovci, e cila deklaroi se mbetet pranë aktakuzës dhe kërkoi që me rastin e shqiptimit të dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese, e nëse gjenden edhe rrethana rënduese.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Avni Thaqi kërkoi nga gjykata një dënim më të lehtë për klientin e tij, me arsyetimin se i njëjti ka bashkëpunuar që në fillim në mënyrë të sinqertë, duke konsideruar se dhënia e 10 eurove si shpërblim nuk paraqet vepër penale, e duke deklaruar se duhet marrë parasysh edhe gjendja jo të mirë ekonomike e klientit të tij.
Pas deklarimeve të palëve, gjykatësja Ajser Skenderi shpalli aktgjykim dënues, me të cilin Basha u dënua me 4 muaj burgim efektiv dhe me 200 euro gjobë.
Mirëpo, avokati Thaqi kërkoi nga gjykatësja që dënimi me burgim të zëvendësohet në atë me gjobë.
Gjykatësja Skenderi aprovoi kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit dhe dënimi me burg u zëvendësua me 1 mijë euro gjobë.
Po ashtu, i akuzuari obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë 50 euro, si dhe 50 euro të tjera në emër të programit të kompensimit të viktimave të krimit.
Ndryshe, në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të datës 21 gusht 2020, Bekim Basha akuzohet se me 19 gusht 2020, rreth orës 10:03 minuta, në mënyrë të drejtpërdrejt i ofron personit zyrtar dhe atë oficerit Nazmi Hoxha, shumën e të hollave prej 10 euro, si dhuratë e paarsyeshme.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari, derisa ka qenë i ndaluar për regjistrim në hyrjen PPK “Vërmicë”, si drejtues i autobusit të kompanisë “Pati Travel”, pasi që zyrtari policor kërkon dokumentet e nevojshme, i pandehuri i dorëzon tre pasaporta për kontrollim duke i thënë: “pasaportën time ke një kafe”.
Me këto veprime, Bekim Basha akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.