Shtetasi i Maqedonisë së Veriut kapet në Aeroportin e Prishtinës me pasaportë false, arrestohet


Një person është arrestuar gjatë ditës së djeshme në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, pasi i njëjti është kapur me pasaportë që dyshohet të jetë e falsifikuar.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari gjatë kontrollit të dokumenteve ka prezantuar një pasaportë sllovene me emrin e një personi tjetër.

I dyshuari, i cili është shtetas i Maqedonisë së Veriut, është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa dokumenti i dyshuar është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor në dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikim i dokumentit’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që konsiderohet se ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, mund të dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vite.