Shtetas kosovar i dyshuar për pengimin e një operacioni policor në Maqedoni – këto janë detajet

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedurë kundër një shtetasi 26-vjeçar të Kosovës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale – Pengim të një zyrtari gjatë kryerjes së veprimeve zyrtare, sipas nenit 382, paragrafi 1, të Kodit Penal.

Më 3 tetor, në rrugën rajonale Shkup-PK Bllacë e Poshtme, zyrtarët e policisë, me një automjet zyrtar, u përpoqën të ndalonin një automjet të mallrave “Mercedes Sprinter”. Shtetasi kosovar, me një veturë “Volvo” me targa kosovare, duke lëvizur me shpejtësi të madhe, u preu rrugën policëve.

Duke lëvizur mes makinës së policisë dhe automjetit të mallrave, ai bënte lëvizje dhe manovra që pengonin policët në kryerjen e veprimeve të tyre zyrtare, duke i mundësuar kështu automjetit të mallrave të arratisej.

Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup një propozim për caktimin e masës së paraburgimit për shtetasin e dyshuar kosovar.