Shtëpia më e bukur në Tetovë është e vjetër 150 vjeç, ka qenë pronë e kryetarit të parë shqiptar të komunës (VIDEO)

Fshehur në kaosin urbanistik të Tetovës, tek rruga “Kuzman Josifovski Pitu”, ose e njohur si “Rruga e Butiqeve”, gjendet një margaritar i vërtetë kulturor i këtij qyteti. Bëhet fjalë për shtëpinë e vjetër mbi 150 vjeçare, të Xhafer Sulejmanit, mjekut të parë të diplomuar në Maqedoni, i diplomuar në universitetin me famë botërore Sorbonë në Francë.

Me origjinë ka qenë nga treva e Skraparit, por me shpirt atdhetari, mjek me profesion, deputet, senator, kryetar i parë i Bashkisë së Tetovës në vitet 1941-1943, dhe i burgosur politik pas nëntorit të vitit 1944, personalitet i rrallë dhe i respektuar nga të gjithë banorët e Tetovës e më gjërë pa dallim kombësie e feje.

E deri sa në Tetovë çdo ditë ndërtohen e rindërtohen shtëpi të bukura si pallate, shtëpia Xhafer Sulejmanit mbetet ndër më të bukurat, sepse bukuria e saj qëndron jo vetëm tek pamja, por edhe tek historia e saj. Ajo është ndërtuar nga muratorë të sjellur enkas në Greqia, mjeshtër të njohur në atë kohë në mbarë Perandrorinë Osmane. Për historikun dhe bukurinë e saj, flet Ali Sulejmani, pasardhës i katërt i Xhafer Sulejmanit. Ai ende jeton në shtëpi së bashku me familjen.

Shtëpia gati tërësisht ka ruajtur origjinalitetin e kohës, kur edhe është ndërtuar, me disa adoptime për kushte jetese. Në pjesën e përparme të shtëpisë gjenden dekorime dhe piktura origjinale që nga koha kur është ndërtuar, me disa restaurime të pjesërishme. Aty gjendet edhe një pikturë e rrallë e qytetit të Selanikut, ashtu siç ka qenë para 150 e më shumë viteve, kur është ndërtuar shtëpia. Që nga dyert kryesore të hyrjes, e deri tek tavanet me ornamentet zbukuruese, shtëpia në çdo cep të saj mban një histori të fshehtë për vitet e fundit të perandorisë osmane në këto anë, luftërat ballkanike, por edhe për kohën kur Tetova ishte pjesë e Shqipërisë.

Pikërisht në këtë kohë, në periudhën 1941 deri më 1943, pronari i kësaj shtëpie, doktor Xhafer Suejmani ka qenë kryetar i komunës së Tetovës, duke u bërë kryetari i parë i saj shqiptar. Shaip Kamberi ka qenë kryetari i dytë, i cili postin pikërisht e ka marrë nga Xhafer Sulejmani. Për shkak të aktivitetit të tij, pas vitit 1944 ai ka qenë i burgosur politik, nga regjimi komunist jugosllav.

Koha e ka bë të veten dhe disa pjesëvë të shtëpisë u kanoset dëmtimi, nëse nuk meremetohen. Shtëpia është e mbrojtur si trashëgimi institucionale, prandaj familjarët nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë. Apelojnë që institucionet përkatëse të veprojnë. Pjesë më e rrezikuar është ballkoni i shtëpisë, që është ndoshta pjesa më unikate e shtëpisë. Ky ballkon, njëkohësisht ka shërbyer edhe si skenë për disa filma që janë incizuar nga kinematografia jugosllave por edhe ajo turke.

Me origjinalitetin e saj, kjo shtëpi sot e kësaj dite shërben si objekt studimi për studentët në fakultetet e arkitekturës. Familja Sulejmani posedon edhe një arkiv të pasur fotografish të vjetra, që janë dëshmi për periudha të ndryshme dhe mjaft turbulente kohore. Familja poashtu posedon edhe koleksion të pasur të kartëmonedhave nga koha e perandorisë turke, mbretërisë shqiptare, e asaj jugosllave.