Shtëpia e Shëndetit në Shkup mund të bllokohet, kërkohet zgjidhje urgjente për 140 infermiere

Gazetar: Mefail Ismaili

Pa pagë, pa sigurim dhe pa kontrata pune. Kështu punojnë më shumë se dy muaj e gjysmë 140 infermiere dhe personel tjetër shëndetësor në Shtëpinë e Shëndetit në Shkup. Ata thonë se me vite të tëra punojnë vetëm me kontratë në vepër dhe pa vendime pune.

“Jemi pa sigurim shëndetësor, pa sigurim pensione dhe pa ditë pushimi. Tre vite kështu jemi. Tani edhe dy muaj e gjysmë dhe kemi hyrë në muajin e tretë edhe pa kontratë pune dhe pa rroga. Punojmë në maksimum tetë orë”, deklaroi Nesrine Emini, infermiere.

Infermieret thonë se për shkak që janë me kontrata me afat të caktuar ose në vepër, nuk guxojnë as të sëmuren, pasi nëse mungojnë vetëm dy ditë atëherë do u shkurtohet rroga, të cilin edhe ashtu e kanë minimale, vetëm 20 mijë denarë. Ato thonë se në kështu të këtilla kanë punuar edhe gjatë pandemisë me koronavirusin. Statusi i pazgjidhur i tyre ka bërë që shumica të mendojnë të ikin jashtë vendit.

“Në kohë të pandemisë kemi punuar me dy orare, me ndërrime, kemi punuar në maksimum nëpër infektive, e kemi pasur shumë rëndë me stres, me të sëmurë, e kemi pasur rënd por kemi punuar se na kanë angazhuar shko këtu e shko aty, e kurrë nuk kemi thënë jo, kemi punuar në maksimum. Me atë rrogë që e kemi, edhe të shtunave që kanë punuar motrat nuk i kanë paguar por u kanë dhënë një ditë pushim”, u shpreh Nesrine Emini, infermiere.

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Shkup, Besim Koka thotë se kërkesën për vazhdimin e kontratave për 140 të punësuarit e ka bërë që në dhjetor të vitit të kaluar, por ende nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Financave. Zvarritja e përgjigjes nga ana e institucioneve përkatëse, sipas Kokës, mund të jetë edhe për arsye politike, pasi ai e mbështet grupin e Zjarrit në BDI.

“Jo 140 por 5-10 nga ata nëse nuk janë në funksion ne destabilizohemi si institucion, kështu që janë shumë të rëndësishëm, andaj është me rëndësi që shumë shpejtë ti marrin… Siç e dini ne duhet mua dhe disa drejtorë tjerë të na shkarkojnë nga pozicionet, e dini për shkak të mendimit ndryshe. Ndoshta edhe ajo mund të jetë pjesë e problemit”, deklaroi Besim Koka, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit.

Nga Ministria e Shëndetësisë për Alsat thonë se presin përgjigje nga Ministria e Financave. Ndërsa nga Ministria e Financave thonë se janë përgjigjur pozitivisht dhe para afatit të caktuar. Ndërsa nga Fondi Shëndetësor thonë se pëlqimin prej Ministrisë së Financave për 47 persona me kontratë të caktuar dhe për 67 persona për kontratë në vepër e kanë pranuar dje në orët e pasdites dhe të njëjtat sot i kanë procesuar për në Ministrinë e Shëndetësisë. Edhe shtëpitë e Shëndetit në Shkup dhe Tetovë kanë probleme të njëjta, ku numër i madh i personelit mjekësor punon pa paga dhe pa kontrata. /Alsat.mk