Shtëpia e Bardhë: Në asnjë skenar Biden nuk do të dërgojë ushtarë në Ukrainë

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se do t’u përgjigjen veprimeve të Rusisë me sanksione të ashpra ekonomike, por se presidenti Joe Biden, në asnjë skenar nuk do të dërgojë ushtarët amerikanë në Ukrainë për të luftuar me Rusinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Psaki në konferencën ditore për media në Shtëpinë e Bardhë lidhur me Ukrainën u pyet nga gazetarët se çfarë do të bëjë SHBA-ja në rast të pushtimit të plotë rus në Ukrainë.

Në përgjigjen e saj, Psaki tha: “Nuk e di edhe sa herë do të them por Biden në asnjë rast nuk do të dërgojë ushtarë amerikanë në Ukrainë për të luftuar me Rusinë”.

Ajo theksoi se SHBA-ja do t’i vendos sanksione të ashpra Moskës në rast të rritjes së tensioneve.

“Me Rusinë nuk do të luftojmë ose nuk do t’i dërgojmë ushtarët tanë në Ukrainë për të luftuar me Rusinë”, potencoi Psaki duke shtuar se do të vazhdojnë ndihmën e tyre ndaj Ukrainës.