Shtëpi me 1 euro në Itali: Si funksionon dhe kush mund t’i blejë?

Me çmime që kapin vlera deri në €1500 euro/m2 për një apartament pranë qendrës së Tiranës, lajmi se për vetëm €1 euro, mund të bëhesh pronar i një shtëpie në Itali, ka tërhequr vëmendjen e njerëzeve nga e gjithë bota – por si ndodhi e gjithë kjo?

Gjatë 2 viteve të fundit, disa qytete të vogla italiane janë bërë pjesë e titujve kryesorë në gazeta, pasi ato nxorën në shitje shtëpia boshe për vetëm €1 euro.

Por si funksionon kjo skemë dhe cilat janë kushtet që duhen përmbushur për t’u zgjuar një mëngjes në vilën tënde private diku në Toskana?

Të rinjtë italianë prej kohësh po ‘emigrojnë’ nga qytetet e vogla rurale për të punuar dhe jetuar në vende urbane dhe kozmopolitane. Kjo ka bërë që shumë prej qytezave të vogla italiane të mbeten thuajse të braktisura, me një popullsi të tkurrur, që sa vjen e plaket.

Shumë pensionistë italianë e kanë pasur të pamundur t’ia lënë shtëpinë dikujt, duke bërë që pronat e tyre t’i kalojnë autoriteteve lokale, të cilët kanë vendosur të ndërmarrin këtë vendim radikal, me një qëllim vërtetë inteligjent.

Të pasurit e një shtëpie të dytë në Itali, vjen me detyrime dhe taksa të veçanta, ndaj shumë e mendojnë më të thjeshtë t’i shesin këto shtëpi për një çmim tejet të ulët, se sa t’i mbajnë ato.