Shtatë të infektuar me koronavirus në gjendje më të rëndë

Në Klinikën Infektive në QKUK aktualisht janë të shtrirë 32 persona të prekur me COVID-19. Shtatë prej tyre janë në gjendje më të rënduar, ndërsa të tjerët janë në gjendje stabile. Të tjerët ndodhën në izolim shtëpiak, dhe përkundër se kanë rezultuar pozitiv nuk kanë manifestime klinike të sëmundjes.

Gjatë ditës pritet të dalin rezultatet për dhjetë persona të tjerë, për të cilët dyshohet se janë të infektuar me këtë virus.

Kështu thotë infektologu Salih Ahmeti, i cili tregon për gjendjen e personave të prekur nga ky virus.

“32 i kemi të shtrirë aktualisht, gjendja shëndetësore e tyre është stabile. Shtatë prej tyre e kanë një gjendje më të rënduar, por megjithatë të menaxhuar dh e pa përkeqësime evidente të tyre…Deri më tani i kemi dhjetë, ndërkohë nëse ka ndonjë rast të dyshuar, numri i tyre mund të shtohet…(03:13) Gjithë këta persona nuk kanë manifestime klinike të sëmundjes, përkundër faktit që kanë rezultuar pozitiv, këta janë në vetë izolim shtëpiak, iu janë dhënë rekomandime të qarta të cilat ata duhet t’i përfillin gjatë kësaj periudhe dyjavore. Unë besoj që ata janë duke i përfillur, ne në disa raste dhe Instituti Kombëtar është në kontakte të përhershme bashkë me qendrat regjionale, dhe unë besoj që ata pas dy jave do të jenë persona të shëruar”, thotë ai.

Ahmeti shpreh shqetësimin se rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik nuk po respektohen sa duhet nga qytetarët. Mosrespektimi i këtyre masave, sipas tij do të rezultojë me shtim të rasteve.

“Unë kisha bërë apel edhe një herë që qytetarët mos të humbin durimin. Ato masa që ne i kemi rekomanduar t’i përfillin sa më tepër atëherë do të jetë në të mirën e tyre, në të mirën e familjarëve dhe gjithë qytetarëve, edhe do të na i lehtësonin punën edhe neve si staf në shëndetësi. Dhe numri i rasteve do të pakësohet duke i respektuar e këtyre masave. Realisht tani janë dhënë përcaktime për dalje, ato dalje kur të bëhen vetëm për nevoja emergjente jo për falje qejfi, jo për dalje luksi. Nëse ne tash i respektojmë, atëherë do të kemi periudhën e shkurtër kohore kur edhe do të dalim për qejf”, tha ai në një intervistë për KosovaPress.

Ahmeti ndër të tjera thotë se mund të ketë edhe për disa ditë intensitet të njëjtë të rasteve. Mjeku Salih Ahmeti shpreson se ky virus do të shënojë rënie gjatë muajit prill.

“Nëse ky virus ndjek një zhvillim apo ecuri biologjike normale të viruseve të tjerë, meqenëse ka një periudhë kohore të kaluar prej shfaqjes së tij në Kinë, e pastaj në shumë vende të tjera. Diku prilli do të ishte dashur të jetë muaji kur ky virus do të duhej të ulte vilurencën e tij dhe numrin e paraqitjeve të tij”, thekson Ahmeti.

Ndryshe, deri më tani në Kosovë kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, 86 persona, ndërsa ditë më parë është shënuar viktima e parë me COVID-19.

Qeveria e Kosovës deri më tani ka marrë disa masa për parandalimin e kësaj pandemie, ndër to edhe vendimin për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve nga ora 10:00 deri në ora 16:00 pasdite. Në vendimin që u mor të hënën, thuhet se nga ora 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes, gjithashtu nuk mund të dilet.