Shtatë motrat nga Shkupi që ushqimet tradicionale i bënë brend


“Babai im më ka mësuar që të mos kem frikë nga puna, pavarësisht se jam femër”.

Kështu thotë Advije Berisha-Rexhepi, 48-vjeçare nga Shkupi, e cila ka kryer studimet në Fakultetin e Pedagogjisë. Pasi për më shumë se 15 vjet nuk arriti të gjente punë, ajo, bashkë me gjashtë motrat më të vogla, krijoi biznesin e saj duke hapur një furrë për fli.

“Ishim mbledhur për 8 mars ne 7 motrat dhe dy vëllezërit dhe kishin qitë fli. Pamë se shumë nga të afërmit lakmonin për këtë ushqim tradicional. Dhe, në atë moment na lindi ideja, pse të mos gatuajmë për të tjerët”, rikujton ajo fillet e biznesit familjarë që nisi me zero kapital gjatë kohës së pandemisë.

“Që në fillim kishim një vullnet aq të fuqishëm sa nuk e paramendonim se mund të këtë ndonjë pikë të dobët që mund të na ndalojë. Ne kishim besim se mundemi dhe çdo sfidë u tejkalua falë besimit që kishim se mund t’ia dalim”, tregon Advija.

Në këtë biznes, thotë Advija, mbështetje e fuqishme janë dhe dy vëllezërit. Duke qeshur thotë se të paktën ata kanë shije të mirë për të degustuar ushqimin.

Ajo ndan me Radion Evropa e Lirë kujtime nga koha e studimeve në Fakultetin e Pedagogjisë e që lidhen me profesionin që po ushtron tani:

“Kujtoj se isha në vitin e dytë të studimeve dhe lexova në një revistë rrëfimin për një pedagoge bukëpjekëse. Atëkohë disi e çuditur mendova si mundet një pedagoge të bëhet bukëpjekëse. Por, sot, edhe pse jam pedagoge e diplomuar, aspak nuk e vras mendjen pse e ushtroj një profesion tjetër, megjithëse kisha ëndrra të jem e suksesshme në profesionin që kisha zgjedhur si pedagoge. Tani thjesht jam e kënaqur që siguroj të ardhura për familjen me mundin tim”.

Edhe motrat e tjera të përfshira në biznesin familjar kanë profesione si police, albanologe, floktare.
Hajrije Berisha-Aliu, 29 vjeçe është motra më e vogël në familjen Berisha. Ajo ka diplomuar për ekonomi dhe thotë se si menaxhere, e di mirëfilli se krijimi i një brendi për produktin, është një nga shtyllat kryesore për të pasur sukses në treg.Ajo thekson se fillimisht të gjitha ushqimet tradicionale, si pitet, mantijat, flijat, ëmbëlsirat si bakllava, revania janë brenduar nën logon “Seven sisters” dhe më pas ka krijuar një rrjet që këto ushqime të ngrohta në kohë rekorde të jenë në sofrat e konsumatorëve.

“Në këtë pjesë besoj se na ka ndihmuar dhe emri ‘Seven sisters’ [Shtatë motrat], pasi besoj se jo kaq shpejt do të ishim bërë brend. Kjo pjesa e të vepruarit në biznes si shtatë motra, shpejt mori vëmendjen e konsumatorëve”, thotë Hajrija dhe shton se në radhë të parë është cilësia.

Ajo thotë se çdo gjë bëhet me produkte bio pasi si gjalpi, qumështi, vezët janë të shtëpisë. Si element shumë të rëndësishëm në suksesin e biznesit familjar ajo thekson shpërndarjen me kohë të produkteve, siç thotë, nga furra në tryezën e konsumatorëve. Përgatitja e ushqimeve tradicionale me saç në furra druri, si flija, mantijat, pitet etj ka bërë që të marrë vëmendjen edhe të turistëve të huaj.

“Mendojmë të hapim edhe një dyqan të vogël, sidomos për turistët e huaj. Kemi pasur rast që na kanë ardhur në punëtori duke menduar se këtu mund t’i shijojnë produktet tona”, thotë Hajrija.

Ministria e Ekonomisë gjatë tre vjetëve të fundit ka ndarë grante në vlerën e mbi 1 milion eurove, për nisjen e bizneseve të vogla që drejtohen nga gratë ose janë në pronësi të grave.

Megjithëkëtë, në Maqedoninë e Veriut, më pak se 20 për qind e bizneseve drejtohen nga gratë.