Shtabi i krizës: Në Gostivar nuk ka të infektuar të rinj, gjendja është nën kontroll

Në rajonin e Gostivarit nuk ka raste të reja të të infektuarve me Kovid-19, ndërsa gjendja në tre komunat është nën kontroll, kjo është vlerësimi i Shtabit të Krizës, në të cilin përveç përfaqësuesve të institucioneve, anëtarë janë edhe kryetarët e komunave Mavrovë-Rostushë, Vrapçishtë dhe Gostivar.

Që nga vendosja e masave në Gostivar janë testuar gjithsej 31 persona, prej të cilëve vetëm një ka qenë pozitiv në virusin. Trajtimi i pacientes përfundon sot dhe pas testeve ajo do të lëshohet nga departamenti infektiv. Në komunat fqinje nuk ka asnjë rast të regjistruar të të infektuarve. Në Mavrovë Rostushë në izolim janë 135 persona, ndërsa në Vrapçishte 76. Me skadimin e afatit të përcaktuar për izolim të më shumë personave, në Gostivar deri mbrëmë nën mbikëqyrjen e policisë janë 135 persona.

Sipas paralajmërimeve të policisë, në Mavrovë në hotelin “Alpina” pritet të pranohen edhe 61 qytetarë, të cilët duhet të arrijnë në Maqedoni. Me këtë numri i personave në karantinat shtetërore në Mavrovë do të arrijë në 196.

Gjatë natës së kaluar ndalesat për lëvizje nuk i respektuan nëntë persona, ndërsa gjithsej prej vendosjes së masave janë arrestuar 29. Njëzet kallëzime penale u ngritën në prokurorinë kompetente. Inspektorati Shtetëror i Tregut i mbylli 14 objekte hotelieri, ndërsa Inspektorati i Punës ka kryer 130 kontrolle.

Pas mbledhjes së shtabit të krizave, u paralajmërua se masat për mbrojtjen dhe dezinfektimin e territorit të tre komunave do të vazhdojnë edhe më tej të zbatohen, ndërsa individët dhe kompanitë të cilët dëshirojnë të dhurojnë ushqim dhe produkte tjera, këtë ta bëjnë në koordinim me Kryqin e Kuq Komunal.