Shqiptari qëllon për vdekje pronarin e një restoranti në Gjermani, vihet në pranga

Një shqiptar nga Kosova ka qëlluar për vdekje me armë zjarri pronarin e një restoranti në Gjermani. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e 28 prillit para një restoranti në qendër të qytetit në Duseldorf.

Sipas mediave vendase, gjithçka ka nisur pas një debati mes pronarit 38 vjeçar të një lokali në Herzogstraße në lagjen Friedrichstadt dhe shqiptarit 52-vjeçar me origjinë nga Kosova.
Ata kanë nisur të debatojnë brenda lokalit, më pas kanë dalë jashtë ambienteve të tij për të sqaruar situatën, kur shqiptari i Kosovës ka qëlluar me armë në drejtim të 38-vjeçarit.

Deri më tani ende nuk është bërë me dije shkaku që çoi në konfliktin mes tyre. Policia e ka arrestuar 52-vjeçarin në vendin e ngjarjes me armë në dorë, ndërsa nuk ka bërë rezistencë.

Nesër pritet të dalin më shumë detaje nga ngjarja. Ndërkohë, zona ku ka ndodhur ngjarja është një vend që shpesh ka tërhequr vëmendjen për shkak të lojërave të paligjshme të fatit.