Shqiptari nga Shkupi, dëshmitar i rrëzimit të murit të Berlinit

Ishte ditë e ftohtë e tetë nëntorit para 31 viteve, kur treni u ndal në stacionin e Berlinit, në pjesën lindore të tij. Fadil Rogaçi nga lagja Gazi Babë e Shkupit zbriti në truallin gjerman me të motrën dhe tre fëmijët e saj, që po i shoqëronte për bashkim familjar te dhëndrri. Menjëherë e kapluan ndjenja të çuditshme, pasi ishte hera e parë që po vizitonte Gjermaninë në prag të ngjarjes historike – bashkimit të dy Gjermanive.

Prej aty, ata u futën nëpër metron gjigante dhe diku në hapësirat e saj, u paraqit edhe kufiri legjendar që e ndante padrejtësisht një popuj të një gjaku. «Na kontrolluan detajisht, nga gishtërinjtë e këmbëve e deri në maje të kokës. Isha me të motrën dhe tre fëmijët e saj të moshës tetë, gjashtë dhe katërvjeçare. Te fëmijët e vërejta një shqetësim të madh, pasi asnjëherë nuk kishin përjetuar ndonjë rast të tillë», rrëfen çastet e sikletshme Fadili.

Pasi e kaluan edhe këtë barrierë të rëndë, ai dhe e motra me fëmijët vazhduan rrugën për te dhëndrri, ku u vendosën për të pushuar pas rrugës tepër të gjatë. As që i kishte shkuar ndërmend se do të ishte dëshmitar i një dite historike, i një ngjarje madhështore dhe i një përjetimi të paharruar, për të cilën do të shkruanin të gjitha mediumet botërore.

«Të nesërmen dolëm me dhëndrrin të shëtisim nëpër qytet. Çfarë të shohim: Çekanë, kazma, lopata, tokmakë e pajisje të tjera ndërtimi, as që e di se kush dhe si i kishte sjell. Përnjëherë filluan goditjet e hatashme në drejtim të murit famëkeq.

Ishin goditje të fuqishme që simbolizonin shfryrjen e mllefit dhe urrejtjes disavjeçare, ndaj murit që i kishte ndarë vëllezërit gjermanë. Asnjëherë nuk do të më hiqen nga mendja ato pamje fascinuese e përplot emocione. Gjëja e parë që më shkoi ndërmend, e mora një copë guri nga ky mur dhe e imagjionova se do ta ruaj tërë jetën në shenjë përkujtimi për këtë ngjarje madhështore», vazhdon rrëfimin e tij Fadili 57-vjeçar.

Për fat të keq, ai e kishte ruajtur gurin për disa vite me radhë, derisa një ditë po rinovonte shtëpinë e tij në Gazi Babë dhe nga pakujdesia, ndokush nga mjeshtrit e kishte hedhur në mbeturina. «Do të më ngel peng në shpirt tërë jetën që ma humbën gurin aq të çmuar për mua. E ruaja si sytë e ballit, pasi më simbolizonte një ngjarje të rëndësishme botërore, në të cilën unë isha dëshmitar rasti. Një ngjarje ku po bashkohej një popull i një gjaku, i ndarë padrejtësisht për vite të tëra.

Nëpër kokë më silleshin mendimet e ndarjes së padrejtë të popullit shqiptar në trojet e veta etnike. O Zot, a do ta përjetojmë edhe ne ndonjëherë një gëzim të tillë», pohon me një mallëngjim të madh shkupjani, i cili përndryshe është arsimtar në një shkollë fillore në rrethinë.

Në ndërkohë, nipat dhe mbesat e tij në Berlin janë rritur dhe janë të moshës madhore, ndërsa janë vendosur me dokumentacion të rregullt qëndrimi në Berlin. Përpos tetëvjeçarit që i kujtohen si nëpër mjegull ato çaste, fëmijët e tjerë nuk mbajnë mend pothuajse asgjë nga ky rast./shtegu/