Shqiptari i kundërpërgjigjet dy të rinjve serb, djeg flamurin e Serbisë në Fier


Flamurit të Serbisë i është vënë flaka këtë të shtunë në Fier. Ky akt vjen si kundërpërgjigje e veprimeve të kryera nga dy të rinj serb pak ditë më parë ndaj flamurit tonë kombëtar në Beograd.
Djegia e flamurit serb është kryer nga kreu i shoqatës Atdhetare për Identitet e Bashkim Kombëtar, Kristaq Ziu.

Një video që është bërë virale në rrjet, shfaq një të ri serb që me ndihmën e një personi tjetër merr flamurin shqiptar që valëvitej në Beograd dhe i vendosin flakën.
Sjellim në kujtesë se në datat 11 dhe 12 tetor në kryeqytetin serb është mbajtur një samit mes disa vendeve, e për këtë arsye në disa shtylla të Beogradit ishin vendosur flamuj të disa shteteve, mes të cilëve edhe ai i vendit tonë.

Ndërkohë mediat serbe kanë publikuar identitetin e autorit që i vuri flakën flamurit shqiptar. Ai konsiderohet si “arrogant” dhe quhet Nikolla Keljanoviç.
“Po udhëtoja me një shokun tim në bulevard kur pashë flamujt e Shqipërisë. Ndaluam me qëllim për t’i hequr. Kur u afruam, 4 djem vrapuan drejt nesh dhe donin të na ndihmonin, kështu që u ngjitën. Vazhduam dhe hoqëm disa flamuj”, tha ai.

Kur u pyet nga mediat serbe përse e bëri këtë veprim, Keljanoviç tha: “Nuk kam asgjë kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve që janë për pajtim, por ka dhe nga ata që na urrejnë, dhe përderisa ka nga ata që janë kundër serbëve dhe Serbisë, nuk dua të shoh flamurin e tyre në Beograd. Samiti ka mbaruar, tani mund të hiqet flamuri shqiptar dhe flamujt e tjerë”.