Shqiptari emërohet drejtor i kardiologjisë në Zurich!

Mjeku i njohur shqiptar, Omer Xhemali, është emëruar drejtor i Klinikës Universitare të Kardiokirurgjisë në Zürich. Ky është njëri ndër postet më të rëndësishme në kardiokirurgjinë evropiane.

Portret i një mjeku që si gjimnazist përjetoi zymtësinë e shtypjes së shqiptarëve në Maqedoni, si student i shpëtoi luftës në Sarajevën e rrethuar, pastaj – në Gjermani – shkëlqeu si student, kardiokirurg dhe shkencëtar. Dhe një ditë erdhi në Zürich…

Befasisht në një ditë pranvere, vite më parë, ra muhabeti për Tetovën. Në hotel “Evropa” në Sarajevë takova një ish-politikan, gazetar, publicist dhe pasardhës të një familjeje fisnike boshnjake. Në fund të viteve ‘80, në prag të shembjes së Jugosllavisë, boshnjaku ishte politikan liberal. Kur në horizont po dukej shtrëngata e luftërave të ardhshme, ai – si funksionar shtetëror – vizitoi Tetovën. «Shkova me një delegacion për të parë si është gjendja atje. Më parë qëndrova në Prishtinë, ku nacionalizmi serb kishte marrë hov të madh. Në Tetovë vizituam një ndërmarrje shtetërore, pastaj funksionarët lokalë na shtruan drekë. Aty më ra në sy një anomali: shqiptarët mund të punonin vetëm si kamerierë. Ata na sillnin ushqimin, pije dhe kafetë, ndërsa ne flisnim për politikë. Kur i pyeta liderët lokalë komunistë se ku janë shqiptarët, ata rrudhën supet».

Rrëfimi i dytë

Afërsisht në atë kohë kur politikani nga Sarajeva vizitoi Tetovën, prindërit e gjimnazistit Omer Xhemali, të dy arsimtarë në rrethinën e Tetovës, po e ndiqnin një ëndërr: dëshironin ta regjistronin djalin e tyre në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Një ditë njëri nga vendimmarrësit në universitet i tha babait të Omer Xhemalit se djalin mund ta regjistronte nëse «do të jepte diçka». Për shembull një veturë Golf, njërën nga ato që atëbotë prodhonte Fabrika e Veturave në Sarajevë (TAS). «Jam arsimtar dhe nuk kam para për dhurata të tilla», u përgjigj prindi i shqetësuar. Refuzoi të japë ryshfet dhe doli nga zyra

Rrëfimi i tretë

Në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë, Omer Xhemali u nis për në Sarajevë, ku filloi studimet për mjekësi. Nëpër qytet jehonin njëkohësisht kërcënimet me luftë të psikiatrit të çmendur, Radovan Karaxhiq, dhe klithmat e mijëra qytetarëve kundër luftës. Pas fjalëve u shkrepën plumbat e parë, u vranë civilët e parë, forcat serbe filluan të hapin istikamet e para në kodrat përreth Sarajevës. Së shpejti do të fillonte rrethimi i Sarajevës, më i gjati rrethim i një qyteti në historinë bashkëkohore. Rreth 11 mijë të vrarë, mes tyre qindra fëmijë. Ky është bilanci i përgjakshëm i forcave serbe vetëm në Sarajevë. Omer Xhemali i shpëtoi tmerrit dhe pas një odiseje disaditore të ikjes nga qyteti, arriti në Aeroportin e Sarajevës. E braktisi kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës me një avion të mbushur dëng me njerëz. «S’kishte vend për t’u ulur dhe qëndrova në këmbë gjatë fluturimit»,

Lajmi i madh

Të enjten, Spitali Universitar i Zürichut ka njoftuar se Omer Xhemali është emëruar drejtor i Klinikës Universitare të Kardiokirurgjisë në Zürich dhe ligjërues i së njëjtës lëndë në Universitetin e Zürichut. Ky është njëri ndër postet më të rëndësishme në kardiokirurgjinë evropiane. Deri më tani Xhemali ka punuar si drejtor i Klinikës së Zemrës në Spitalin e Qytetit të Zürichut (Triemli). Që nga viti 2016 ai ka qenë i angazhuar edhe në Spitalin Universitar të Zürichut dhe e njeh mirë punën e klinikës së zemrës. Ky është një parakusht i shkëlqyeshëm që në të ardhmen të dyja klinikat e zemrës të bashkëpunojnë edhe më ngushtë në rritjen e efikasitetit dhe shërbimeve ndaj pacientëve, thuhet në një komunikatë të Spitalit Universitar të Zürichut. Se me çfarë profesionalizmi dhe përkushtimi Omer Xhemali e kryen punën jashtëzakonisht të përgjegjshme të kirurgut të zemrës, ndoshta mjafton ky shembull: me një rast, ndërsa po festonim ditëlindjen e tij, mes mysafirëve u shfaq edhe një zviceran që kishte bërë tatuazh emrin e Omer Xhemalit – një gjest i pazakontë falënderimi për operacionin e suksesshëm.

Rruga deri këtu