Shqiptarët shpenzojnë 400 milionë euro në vit n’kafe dhe n’restorant!

Baret dhe restorantet kanë qenë një biznes i preferuar për shqiptarët, por ky model është zbehur vitet e fundit për dy arsye.

Së pari, pandemia në vitin 2020 goditi rëndë këtë aktivitetet. Së dyti, mungesa e fuqisë punëtore dhe rënia e konsumit si rrjedhojë e emigracionit po japin efekt më të qëndrueshëm negativ.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, për herë të parë në një dekadë shqiptarët ulën shpenzimet për bare e restorante dhe kjo ishte normale për shkak të kufizimeve si rrjedhojë e pandemisë.

Në vitin 2021, shpenzimet u rikuperuan, por sërish ato mbetën nën nivelin e pandemisë. Sipas INSTAT, qarkullimi vjetor i bareve dhe restoranteve në 2021 ishte 47.2 miliardë lekë, ose rreth 400 milionë euro, që konsumatorët vendas apo dhe turistët e huaj kanë shpenzuar për të konsumuar në bare e restorante. Nga të dhënat rezulton se çdo shqiptar shpenzon rreth 145 euro në vit për të frekuentuar baret dhe restorantet.

Në krahasim me 2020-n, të ardhurat e këtij aktiviteti u rritën me 17%, por ato mbetën 9% më të ulëta sesa para pandemisë. Të dhënat tregojnë se deri në vitin 2019 shpenzimet në bare e restorante ishin rritur me shpejtësi, duke kulmuar në 52 miliardë lekë (430 milionë euro) në 2019-n.