Shqipëria nis lëshimin e lejeve biometrike të qëndrimit për shtetasit e Kosovës

Pas marrëveshjes së nënshkruar mes dy qeverive në mbledhjen e përbashkët të 26 nëntorit, Shqipëria ka nisur të lëshojë lejet biometrike të qëndrimit për shtetasit e Kosovës që duan të jetojnë, punojnë apo studiojnë në Shqipëri.

Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Bledi Çuçi priti në zyrë dy të rinj nga Kosova, të cilëve iu dorëzoi kartat e para 5-vjeçare të rinovueshme pa afat.
Ky dokument shumë më i sigurt dhe më cilësor në të gjithë elementët merret përmes një aplikimi të thjeshtë online dhe pa dokumente shtesë.

“Sot kam kënaqësinë të jap dy kartat e para të lejeve të qëndrimit të dy shqiptarëve shtetas të Kosovës, leje qëndrimi 5- vjeçare që aplikohet për herë të parë në Shqipëri në bazë të ligjit të ri që kemi bërë për të lehtësuar pikërisht këtë proces edhe në bazë të marrëveshjes që bëmë me qeverinë e Kosovës, e cila gjithashtu ka filluar të aplikojë të njëjtin regjim për sa i takon dhënies së lejes së qëndrimit për shqiptarët e Shqipërisë në Kosovë. Kam kënaqësinë sot t’i jap Aritës dhe Kushtrimit kartat biometrike, identike për sa i takon cilësive që kanë ID shqiptare, me të gjitha të dhënat personale të pasqyruara në të dy çipet e kartës”, u shpreh ministri Çuçi.

Lejet biometrike të qëndrimit janë gjithashtu edhe leje pune pa qenë nevoja që shqiptarët e Kosovës të marrin një dokument të dytë. Ministri Çuçi solli rastin e Arita Berishës, vajzës nga Kosova e cila në përfundim të studimeve është punësuar në Tiranë në një kompani IT. Te dokumenti biometrik që ajo sapo kishte marrë është gjithashtu e përfshirë edhe leja e punës.
Më parë Shqipëria lëshonte leje qëndrimi në format A4 pa elementë sigurie dhe që duhej rinovuar çdo vit.

“Sot janë lehtësuar tërësisht procedurat për leje qëndrimi, me aplikim online dhe pa dokumente. Dëshmitar për këtë është vetë Kushtrimi që ka hequr kalvarin e shkuarjes nga njëra zyrë në tjetrën çdo një vit për të rinovuar lejen e qëndrimit”, tha ministri Çuçi duke iu referuar rastit të Kushtrim Reshitit, të riut nga Kosova, i cili ka qenë student në Tiranë dhe në përfundim të studimeve ka nisur të punojë këtu.
Lëshimi i lejeve biometrike të qëndrimit për shqiptarët e Shqipërisë ka nisur edhe në Kosovë. Të dy qeveritë nënshkruan marrëveshjen në mbledhjen e përbashkët të 26 nëntorit që u mbajt në Elbasan.