Shqipëria më e shtrenjta, Maqedonia më e lira (TABELA)

Agjencia Europiane e Statistikave, “Eurostat” ka publikuar së fundmi raportin mbi nivelin e çmimeve për mallrat dhe shërbimet e konsumit për vitin 2020, në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian, por jo vetëm. Raporti paraqet të dhënat për Shqipërinë, të dhëna të cilat janë përpunuar nga “Scan Intelligence Unit” për të parë se në cilat nivele është ky tregues krahasuar me vendet e rajonit dhe gjithashtu si ka ndryshuar ndër vite sipas kategorive.

Niveli i çmimeve për mallrat dhe shërbimet e konsumit në Shqipëri për vitin 2020 regjistrohet në 57.5% të mesatares së BE-së. Krahasuar me vitin 2019 ky tregues është konstant, duke mos pësuar ndryshime. Të dhënat tregojnë se Danimarka ka nivelin më të lartë të çmimeve me 141% të mesatares së Bashkimit Europian, e pasuar nga Irlanda dhe Luksemburgu, e ndërsa nivelin më të ulët e ka Turqia me 37.6%.
Shqipëria renditet mes vendeve që kanë nivelin më të ulët të çmimeve për mallrat dhe shërbimet e konsumit dhe po ashtu dhe vendet e rajonit.

Nga të dhënat shohim se Shqipëria dhe Serbia kanë nivel të njëjtë të çmimeve, i cili është dhe niveli më i lartë mes vendeve të rajonit. Nivelin më të ulët e ka Maqedonia e Veriut me 50% nga mesatarja e BE-së. Megjithatë, nga të dhënat e paraqitura në mënyrë grafike shihet se niveli i çmimit për Komunikacionin në Shqipëri është më i larti në rajon me 108.4%. Po të shohim nivelin e çmimeve për Ushqim dhe pije joal*kolike, vendi ynë përsëri renditet në vend të parë, krahasuar me vendet e rajonit me 83.4%. Niveli i çmimeve më i ulët në Shqipëri është ai për arsim, i cili regjistrohet në 21.7% ndërkohë që në Serbi regjistrohet 24%, në Maqedoninë e Veriut 24.9%, në Malin e Zi 29.1% dhe në Bosnje Hercegovinë 28.8%.